Spanjollët mendojnë për brazilianin nëse dështon pista Aguero

Barcelona nuk heq dorë për të ribashkuar dyshen, Neymar-Messi. Skuadra katalanase ka nisur bisedimet për të rinovuar me sulmuesin argjentinas dhe paralelisht po punon për të bindur brazilianin që të rikthehet në Camp Now.

Kjo shihet edhe si një lëvizje për të bindur Messin të qëndrojë te katalanasit, pasi një ribashkim me Neymar do ishte mëse i mirëpritur nga ana e 33-vjeçarit. Edhe braziliani nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të luajtur përsëri me Messin, çka ka bërë që edhe PSG të tentojë transferimin e argjentinasit në Francë.

Megjithatë sa i përket Neymar, PSG ka njoftuar Barcelonën se futbollisti nuk është në shitje. Madje ka nisur punën për të zgjatur marrëveshjen aktuale të Neymar, e cila skadon në verën e vitit 2022. Shifrat që do kurorëzonin këtë marrëveshje mes Barcelonës dhe PSG për Neymar nuk janë të ditura.

Ndërkaq, nëse kjo pistë dështon, Barcelona pritet të hidhet në sulm për sulmuesin e Mançester Siti, Sergio Aguero. Marrëveshja me argjentinasin do ishte tejet e thjeshtë për shkak të rrethanave, pasi Aguero është në skadencë kontrate me skuadrën angleze dhe bindja për të kaluar në Barcelonë do ishte shumë e lehtë.

Klan News