Barcelona ka shpërdoruar një mundësi të artë për të marrë kreun e La Ligës. Katalanasit janë mposhtur 2-1 nga Granada në javën e 33-të të saj, duke mos arritur të ngjitet në krye në elitën e futbollit spanjoll. Lionel Messi kaloi në avantazh ekipin Blaugrana pas 23 minutash loje.

Argjentinasi mori një asist nga Griezman dhe me një diagonale perfekte tundi rrjetën. Pjesa e parë u mbyll në avantazhin minimal për Barcelonën, ndërsa në fraksionin e dytë, Granada përmbysi gjithçka.

Një pozicionim jo i mirë i Mingueze në prapavijë bëri Mashin që të përfitonte dhe të barazonte për 1-1. Kjo bëri që gjakrat te Barcelona të nxeheshin, diçka që e konfirmon edhe kartoni i kuq i marrë nga Ronald Koeman.

Sërish një pozicionim jo i mirë i Pique bëri që Molina të shënonte për 2-1, duke i dhënë 3 pikët Granadës. Kur kanë mbetur edhe 15 pikë në lojë, Barcelona gjendet në vendin e tretë me 2 pikë më pak se Atletico Madrid kryesues, ndërsa Granada afrohet akoma dhe më shumë me zonën Europiane.

Klan News