Me fitoren ndaj Benfica-s, Barcelona jo vetëm garantoi kalimin në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve, por edhe rekorde.

Lamine Yamal dhuroi një nga ndeshjet e tij më të mira që nga debutimi me ekipin e parë, teksa bëri histori në kompeticionin më të rëndësishëm për klubet Europiane.

Në moshën 17 vjeç e 241 ditë, sulmuesi i ri i Barçës u bë lojtari më i ri në histori që shënoi dhe asistoi në një ndeshje të Ligës së Kampionëve, duke thyer rekordin e zviceranit, Breel Embolo, i cili e arriti atë më 11 Prill 2014 kundër Ludogorets me fanellën e Baselit. 

Deri të martën, një tjetër lojtar i Barçës, Ansu Fati, ishte lojtari i dytë më i ri që e arriti këtë sukses më 20 Tetor 2020, në moshën 17 vjeç e 355 ditë, në fitoren 5-1 të spanjollëve ndaj Ferencvaros në Camp Nou.

Sukses i arritur falë dhe dy golave të Raphinha. Braziliani kompletoi fitoren e katalanasve për t’u ngjitur në kuotën e 11 golave, si golashënuesi më i mirë i kompeticionit. Objektiv mbetet rekordi i Lionel Messi, i cili arriti në sezonin 2011/12 të shënonte 14 herë.

Performancë që ndihmoi Barcelonën për t’u kualifikuar për herë të dytë radhazi në raundin çerekfinal, fazë që nuk kishte arritur ta realizonte në periudhën e fundit.

Klan News