Partia Demokratike ka propozuar së fundmi në parlament disa ndryshime kushtetuese. Një ndër to është edhe Vettingu i politikanëve, çështje që ka sjellë një debat nëse duhet bërë apo ajo.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka folur për këtë çështje gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan këtë të enjte. Ai u shpreh se edhe SHBA-ja ka një proces Vettingu për çdo zyrtar publik.

Mbi të gjitha, deputeti demokrat bëri një deklaratë të fortë ku tha se organet ligjzbatuese në Shqipëri kanë të dhëna të plota për politikanë që bashkëveprojnë me eksponentë të krimit të organizuar.

“Ne po flasim për politikanë të lidhur me krimin e organizuar. Nga ligji i dekriminalizzimit ikën dikush i dënuar, por nuk ikën një politikan që rri gjithë ditën me një eksponent të krimit të organizuar, që mbështet krimin e organizuar, që flet gjithë ditën në telefon me krimin e organizuar, që kapet në përgjime. Ta them unë si verifikohet. Organet ligjzbatuese shqiptare në këtë moment që flasim disponojnë të dhëna të plota për  politikanë që bashkëveprojnë, politikanë që kapen në përgjime, në telefonata me eksponentë të rrezikshëm të krimit të organizuar. Nuk dënohen. Ama kjo mburojë politike që këta politikanë i japin krimit të organizuar bëhet në shkëmbim të favoreve. Kriminelët duke shkelur ligjin, politikanët ndihomohen nga kriminelët në zgjedhje për të fituar zgjedhjet”, tha Bardhi./tvklan.al