Demokrati akuzon PS për bllokimin e “Zgjedhores”, Çuçi e informon për marrëveshjen PS-PD

Reporterja për Shqipërinë në Parlamentin Europian Isabel Santos është takuar me dy kryetarët e grupeve parlamentare të PS Bledi Çuçi dhe të PD Gazment Bardhi. Pas takimit zhvilluar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, Bardhi deklaroi se e informoi Santos për bllokimin e Reformës Zgjedhore që sipas tij, është bërë nga PS.

Gazment Bardhi: E informova për përpjekjet e opozitës që Shqipëria të ketë një Parlament funksional, që respekton të drejtat kushtetuese të opozitës, lejon kontrollin efektiv ndaj Qeverisë, dhe që punon në interes të qytetarëve. Moszbatimi nga Kuvendi i vendimeve të Gjykatës Kushtetutese është minim i parimeve të shtetit ligjor dhe akti më brutal antikushtetuese i ndodhur në 33 vite. Mazhoranca duhet të heq dorë nga tentativa për të kontrolluar institucionet e drejtësisë dhe nga çdo përpjekje për të kontrolluar politikisht drejtësinë. Gjithashtu, e informova për bllokimin 2 vjeçar të Reformës Zgjedhore nga mazhoranca dhe nevojën që ka Shqipëria, si vend kandidat për anëtar të BE, që të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm.

Socialisti Çuçi thotë se në takimin e zhvilluar me reporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian e ka informuar atë për marrëveshjen me PD si dhe për integrimin e Shqipërisë në BE.

Bledi Çuçi: Diskutuam për avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë drejt BE-së dhe domosdoshmërinë e ngritjes së rolit të Kuvendit në një nivel tjetër mbikëqyrës të negociatave. E informova për platformën e re të dialogut politik me opozitën brenda Komisionit të Ligjeve si një mekanizëm për të diskutuar për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Rikthimi i opozitës në normalitet është një sinjal i mirë pas disa muajsh kaosi e sjelljesh aspak europiane. Ne jemi të përkushtuar të vijojmë me reformat dhe të shfrytëzojmë këtë moment të ri të procesit të zgjerimit të BE.

Gjatë qëndrimit në vendin tonë reporterja në Parlamentin Europian është takuar me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla, ku në fokust të diskutimeve ka qenë rruga e integrimit të Shqipërisë në BE.

Klan News