Teksa tentojnë të hyjnë në Kuvend, deputetët demokratë, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi kanë dhënë dhe një prononcim për mediat.

Noka është shprehur se nuk është i përjashtuar teksa ka shtuar se nuk respekton asnjë vendim të kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe atyre që i ka quajtur kamikazë të kryeministrit Rama.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka deklaruar se disa deputetë janë përjashtuar në një seancë ku kanë kaluar 10 ditë dhe sipas tij, nuk duhet të ndalohen të hyjnë në Kuvend.

Bardhi ka shtuar se do të tentojnë të hyjnë në Kuvend në respekt të mandatit që ju kanë dhënë qytetarët e Shqipërisë.

Flamur Noka: A mund të quhet shtet ky? A ka demokraci? Prej kujt e ruajnë parlamentin këto? Prej anëtarëve të parlamentit. Nuk jam i përjashtuar, Linda nuk ka të drejtë të përjashtojë. Nuk respektoj asnjë vendim të Lindës dhe kamikazëve të Ramës.

Gazment Bardhi: Kanë kaluar 10 ditë. Ne jemi përjashtuar në një seancë ku kanë kaluar 10 ditë nga përjashtimi. Kemi respektuar afatin 10 ditor, ka skaduar afati. Nuk po lihen deputetët që nuk janë të përjashtuar në seancë. Pse nuk lejohen deputetë e papërjashtuar që të futen në seancë? Duhen lejuar të futen në seancë. Është një parlament 1 partiak, lejohen vetëm ata që mbështesin Edi Ramës të futen në seancë. Ne do të tentojmë të hyjmë në respekt të mandatit që na kanë dhënë qytetarët e Shqipërisë. Mandatet i kemi fituar me sakrificë, janë vota të popullit opozitar dhe ne jemi këtu për t’i përfaqësuar në ushtrim të mandatit që na kanë dhënë qytetarët./tvklan.al