Balla: Kush ngre dorën ndaj policisë do përballet me ligjin

“Detyrim  Paraqitje”, ishte masa e sigurisë që togat e zeza të Gjykatës së Tiranës dhanë për 4 protestuesit e opozitës Kindi Toli, Andrea Malia, Bledar Kola dhe Ismet Stefanis. Pas përfundimit të seancës, Gazment Bardhi dhe deputetët që e shoqëronin atë hodhën akuza se protestuesit janë dhunuar gjatë shoqërimit në komisariat nga efektivë të policisë. Për këtë arsye kreu i grupit parlamentar të demokratëve tha se krahas padisë për dhunën e përdorur ndaj 4 të rinjve në protestën e 20 shkurtit është bërë edhe një ankimim në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

“Dua të denoncoj me forcë dhunën vandale që kanë ushtruar punonjës policie ndaj këtyre protestuesve të arrestuar, të marrë peng për rreth 2 ditë. Ndaj tyre është bërë kallëzim penal dhe një ankesë në AMP. Punonjësit e policisë duhet të respektojnë ligjin dhe jo të ushtrojë dhunë. Secili prej tyre është identifikuar dhe do të mbaj përgjegjësi, dhe për dhunën do të mbajë përgjegjësi”, tha Bardhi.

Por i pyetur lidhur me kallëzimin e bërë nga demokratët ndaj efektivëve të policisë, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi se policia ka bërë detyrën dhe se kushdo që ngre dorë mbi uniformat blu do të përballet me ligjin.

“Policia e Shtetit, në rastin që ju i referoheni ka bërë detyrën dhe vetëm detyrën. Ligji është shumë i qartë dhe kushdo që do të tentojë të ngrejë dorë kundër Policisë së Shtetit, do të përballet me parashikimet që ka ligji. Të gjitha vendimmarrjet që janë marrë nga Policia e Shtetit janë udhëhequr nga urdhrat e dhënë nga prokuroria”, u shpreh Balla.

4 të rinjtë që u lanë të lirë me “detyrim paraqitje” nga Gjykata e Tiranës u arrestuan pas tubimit të 20 shkurtit të thirrur nga opozita, pasi hodhën lëndë piroteknike në drejtim të punonjësve të Policisë dhe Kryeministrisë.

Tv Klan