“Kërcënim serioz për jetën e të gjithë banorëve”

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi thotë se në repartin e patologjisë dhe urgjencës në Spitalin e Kavajës kanë nisur përgatitjet për ta kthyer në karantinë. Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi e konsideron këtë fakt papërgjegjshmëri, pasi sipas tij, zgjedhja e një spitali të një qendre të banuar për karantinë është kërcënim serioz për jetën e të gjithë banorëve.

“Sot në repartin e patologjisë dhe urgjencës në Spitalin e Kavajës kanë nisur përgatitjet, me urdhër të Ministres së Shëndetësisë, për ta kthyer në Karantinë. Kjo është papërgjegjshmëri! Zgjedhja e një spitali të një qendre të banuar për Karantinë është kërcënim serioz për jetën e të gjithë banorëve. Ky është një provokim i rëndë me Kavajën! I bëj thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të mi të mos e pranojnë trajtimin nga Edi Rama si banorë të parëndësishëm, jeta e të cilëve nuk ka rëndësi për Kryeministrin. Karantinën ta ndërtojë në shtëpinë e tij në Surrel, jo në Kavajë”, shkruan Bardhi.

Më herët gjatë paradites, një dalje për mediat, Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e  Shëndetit Publik, Silva Bino mohoi ngritjen e një karantine në Kavajë, pas shqetësimit se nga ana e autoriteteve është përzgjedhur qendra e sapo inauguruar e shëndetit mendor në këtë qytet. Por edhe në këtë dalje përpara mediave ajo sërish nuk e bëri të ditur vendndodhjen e karantinës.

Pavarësisht numrit në rritje të të prekurve në Italinë fqinje me koronarovirus, deri më tani Shqipëria nuk shënon asnjë rast të dyshuar me virusin vdekjeprurës./tvklan.al