“Maxhoranca dhe Basha nuk e duan reformën, shkaktare për dështimin e saj”

Grupi Parlamentar i PD, do të kërkojë përsëri ndryshimin e përbërjes së anëtarëve të opozitës në komisionin e reformës zgjedhore, si dhe bashkë kryetarin e saj. Duke projektuar Oerd Bylykbashin si bashkëkryetar në këtë komision, Gazment Bardhi deklaron se Enkelejd Alibeaj nuk mund të përfaqësojë opozitën në këtë komision, pasi shumica e deputetëve të PD nuk e mbështesin.

“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të ridërgojë edhe njëherë duke shpjeguar bazueshmërinë kushtetuese dhe rregulloren e Kuvendit të vullnetit të shumicës dërmuese të deputetëve të opozitës, të përfaqësuesve të tyre në komisionin bipartizan të reformës zgjedhore.”

Bardhi akuzoi PD e drejtuar nga Basha dhe PS se për rreth dy vite nuk zhvilluan asnjë mbledhje të komisionit të reformës zgjedhore, pasi duan dështimin e saj.

“Ne jemi të gjithë dëshmitarë që ajo reformë nuk është çuar përpara. Duket qartë që është një strategji për ta lënë në haresë reformën zgjedhore.”

Akuzat nuk i kurseu as për Luzlim Bashën.

“Për listat e hapura nuk është një çështje që diskutohet për herë të parë. Është një propozim i mirëpritur. Nuk e ka bërë zoti Basha për herë të parë. Zoti Basha ka qenë kundër.”

Në të njëjtën linjë me Bardhin është dhe Flamur Noka, i cili e shikon si të nevojshëm përshkallëzimin e aksionit opozitar në parlament.

“Me bandën në pushtet nuk ka asnjë formë tjetër komunikimi përveç aksionit dhe mosbindjes civile.”

Teksa thekson drejtësia është e kontrolluar nga qeveria, Noka pati dhe akuza për kryetarin e Gjykatës së lartë Sokol Sadushi.

Grupi parlamentar i PD është i vendosur për të bllokuar punimet në seancat parlamentare si dhe të komisionit të reformës zgjedhore.

Klan News