
Bardhi letër Nikollës e trupit diplomatik: Mazhoranca në antikushtetutshmëri
Pas seancës së sotme plenare Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është drejtuar me një shkresë zyrtare Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla dhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Duke e krahasuar sjelljen e mazhorancës me ato të diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong, Bardhi vë në dijeni trupin diplomatik se prej muajsh, Kuvendi i Shqipërisë nuk funksionon normalisht për shkak të protestës së opozitës për mohimin e të drejtave kushtetuese të saj, ngritjen e Komisioneve Hetimore si dhe për Reformën Zgjedhore.
Në shkresën e tij Bardhi duke ju drejtuar Nikollës thotë se, mazhoranca po tenton të krijojë një Parlament njëpartiak, antidemokratik, autoritar që dhunon hapur të drejtat e pakicës parlamentare.
Pengimin e deputetëve të opozitës që të futen në zyrat e tyre në Kryesinë e Kuvendit, apo prezencën brenda sallës së seancës plenare të rreth 60 punonjësve të Gardës, Bardhi e cilëson në shkelje të Rregullores së Kuvendit, që ka si qëllim intimidimin e deputetëve të opozitës me forca sigurie.
Tv Klan