Bardhi: Militantët e PD nuk qëndrojnë pas djegies së KZAZ në Vaun e Dejës

Bardhi: Militantët e PD nuk qëndrojnë pas djegies së KZAZ në Vaun e Dejës

13:52 28/06/2019

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt për djegien e KZAZ në Vaun e Dejës, duke thënë se asnjë militant i PD nuk qëndron pas këtij akti.

Në një deklaratë për mediat, Bardhi akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të përçajë qyterarët dhe t’i faturojë PD-së përgjegjësinë për incidentin në KZAZ nr.16.

Deklarata e Gazment Bardhit:

Ju që banoni në bashkitë e drejtuara nga opozita dhe ju që banoni në bashkitë e drejtuara nga organizata kriminale që drejton sot vendin.

Edi Rama po përpiqet të na përçajë dhe të na vendosë kundër njeri tjetrit. Ai ka një skenar të rrezikshëm dhune dhe përplasje civile për të dielën, skenar të cilin kërkon t’ia faturojë Partisë Demokratike, opozitës dhe kryebashkiakëve të opozitës!

Shpresa e tij e vetme për të mbajtur pushtetin kriminal qëndron tek dhuna, tek konflikti, tek përplasja civile. Me këtë skenar, të dalë nga sirtarët e Sigurimit të Shtetit, Edi Rama dhe Sandër Lleshaj kanë vënë në shenjestër kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, të cilin nuk e thyejnë dot as me votë, as me kërcënimin e banditëve të tij me dhe pa uniformë.

Partia Demokratike përsërit qëndrimin e saj të prerë se asnjë militant i saj nuk qëndron pas djegies së KZAZ-së në Vaun e Dejës.

Tentativë e dëshpëruar e një regjimi të korruptuar dhe kriminal është sajimi i raportëve të rreme nga policia dhe ndalimi politik pa prova e pa fakte i njerëzve të afërt me kryebashkiakun e Vaut të Dejës.

Tentativë e dëshpëruar e regjimit kriminal të Edi Ramës është të bëjë simbolin e 30 qershorit, Tom Doshin, personin që është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara për disa krime, përfshirë edhe krimet për vjedhjen e zgjedhjeve.

Tentativë e dëshpëruar e Edi Ramës kundër opozitës është akti sa qesharak, aq edhe banditesk, antikushtetues i gjoja shkarkimit të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës.

Zef Hila është në krye të detyrës, duke zbatuar ligjin dhe Kushtetutën e vendit.  Aktet e pavlefshme të kryeministrit mik të kriminelëve më të rrezikshëm të vendit, janë tentatva të dështuara që kërkojnë të imponojnë paligjshmëri.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, ata që duhet të përballen me drejtësinë janë Edi Rama, Sandër Lleshaj, që e kanë futur vendin në një proces të paligjshëm dhe antikushtetues votimesh moniste.

Partia Demokratike dënon me forcë retorikën provokuese dhe të dhunshme të Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj  dhe të shefit të tij Edi Rama, i cili me gjakftohtësi kriminale po i fryn konfliktit civil.

Qytetarët të cilët duan të jetojnë të lirë, si në çdo vend normal europain, janë në këmbë në mbrojtje të demokracisë dhe të së ardhmes së fëmijëve të tyre.  Ata e dinë mirë se përsa kohë Edi Rama të jetë Kryeministër, zgjedhje të lira e të ndershme nuk ka për të patur, se mundësia më e mirë për fëmijët e tyre është të ikin refugjat, se Shqipëria do të mbetet e fundit dhe nuk ka për t’u bërë asnjëherë si gjithë Europa.

Qytetarët nuk kanë nevojë të shohin Kodin Penal! Kodi Penal është për kriminelë si Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, dhe ndaj tyre do të zbatohet shumë shpejt.

Qytetarët shqiptarë kanë në dorë Kushtetutën e Republikës dhe do të bëjnë gjithçka që Edi Rama të mos e shkatërrojë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre! /tvklan.al

Të ngjashme
UKT