Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, deklaroi të mërkurën se me 30 Qershor ligjërisht nuk ka zgjedhje në Shqipëri dhe se procedimi penal ndaj kryebashkiakëve demokratë do të marrë përgjigjen e merituar.

Në 30 Qershor ligjërisht nuk ka zgjedhje. Në 30 Qershor qytetarët janë në të drejtën e tyre të mos pranojnë diktaturën autokratiko-kriminale të Edi Ramës. Në 30 Qershor në paligjshmëri është vetëm Edi Rama dhe banda e tij. Aktet dhe veprimet kundër qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës, si këto kundër kryebashkiakëve Frrokaj dhe Kapllanaj, do të marrin përgjigjen e merituar”, tha Bardhi në një dalje për mediat nga selia blu.

Ai tha se tentativës së dështuar për të kryer votime moniste dhe të paligjshme, Edi Rama po i shton edhe tentativën për të rikthyer në Shqipëri dënimin e kundërshtarëve politikë për agjitacion e propagandë.

Procedimi penal i Kryetarit të Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj dhe Kryetarit të Bashkisë Mallakastër Agron Kapllanaj, pse ato mendojnë ndryshe nga Edi Rama dhe kanë deklaruar se do të zbatojnë Dekretin e Presidentit, është një goditje e rëndë ndaj demokracisë dhe një akt i fortë provokimi ndaj opozitës.

Bardhi tha se PD ka treguar deri më tani vetëpërmbajtje dhe përgjegjshmëri, për të ruajtur rendin kushtetues dhe stabilitetin demokratik të vendit, duke mos rënë pre e provokimeve të Kryeministrit Rama.

Por ne as nuk shantazhohemi, as nuk trembemi, as nuk tolerojmë dhe as nuk harrojmë. Ne jemi në këmbë, së bashku me qytetarët, për të ndaluar krimin elektoral të Edi Ramës në 30 Qershor! Shqiptarët janë të vendosur të mbrojnë demokracinë dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre!

Sekretari i përgjithshëm i PD tha se nuk do të ketë asnjë zgjidhje të krizës pa u liruar të gjithë ato që mbahen sot padrejtësisht në burg. “Ata do të trajtohen si të burgosur politik dhe do të përfitojnë të gjitha të drejtat që burojnë nga ky status.”/tvklan.al