Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se deri në këto momente në PD nuk ka ardhur asnjë kërkesë, qoftë edhe 1 anëtari të vetëm të Kuvendit Kombëtar, për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

“Dua të konfirmoj edhe njëherë që PD është institucion. Respekti ndaj institucioneve është primar në çdo demokraci. Ne nuk jemi një organizatë që veprojmë në ilegalitet, nuk kemi halle apo probleme përsa i përket zbatimit ligjit. E në funksionimin tonë të brendshëm kemi përgjegjësinë dhe detyrimin për të zbatuar rregullat e brendshme të PD, statutin e PD. Dua të konfirmoj për çdo demokrat, që në PD nuk ka ardhur deri në këtë moment që ne flasim, asnjë kërkesë, e qoftë edhe 1 anëtari të vetëm të Kuvendit Kombëtar, për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar”, tha Bardhi.

Duke ripërsëritur se bëhet fjalë për blof, Bardhi tha se nuk është arritur të sigurohet ¼ e firmave, të nevojshme për mbledhjen e Kuvendit.

“Ajo që është bërë këto kohë ka qenë një blof i madh, një kakofoni shifrash, tallje me demokratët sepse nuk u arrit që pas dy muajsh konktaktime me demokratët të siguroheshin ¼ e firmave të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar që të mundësonin nisjen e procedurës për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Berisha ka një çështje të tij që duhet ta shtrojë për diskutim. Bëhet show dhe tallje për demokratët dhe u themi atyre firmat i kemi, madje edhe shumicën, por nuk i kemi, madje i mbyllim në kasafortë. Nëse i kanë, i ftoj ti depozitojnë në protokollin e PD.

Nuk jemi institucion në ilegalitet nuk kemi asnjë hall me ligjin. Halli i PD janë hallet e demokratëve. I vetmi hall i demokratëve në këtë momement është largimi i regjimit të Edi Ramës. Rikonfirmoj për çdo anëtar të Kuvendit Kombëtar të PD që jo vetëm që nuk janë depozituar ¼ e firmave, por në momentin që flasim nuk ka një firmë të depozituar. Nuk e kuptoj ku qëndron problemi i mosdepozitimit, ose më saktë bëj sikur nuk kuptoj”./tvklan.al