Sekretari i Përgjitshëm, Gazment Bardhi, shkoi në Prokurorinë e Tiranës këtë të premte për të dëshmuar në lidhje me protestën e 8 Janarit. Ai u shpreh se asnjë person brenda selisë nuk ka sulmuar, por ka pasur vetëm akte vetëmbrojtjeje.

“Kam dhënë deklarime për çdo çështje që jam pyetur nga organi i Prokurorisë. Nuk ka pasur sulm nga asnjë person nga brenda selisë. Ka pasur akte vetëmbrojtje për të ndaluar protestuesit e dhunshëm që të futen në ambientet ku po zhvillohej mbledhje në katin e dytë. Për këtë episod kam dhënë shpjegimet e mia në prokurori”.

Bardhi u shpreh ndër të tjera se brenda selisë nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm.

“Kam dhënë shpjegime të plota në këtë çështje. Kam rikonfirmuar atë që prokurorët kanë qenë dëshmitarë bashkë me mua që çdo person që ka qenë brenda selisë qendrore të PD i është nënshtruar kontrollit fizik, sikundër çdo ambient i selisë i është nënshtruar kontrollit dhe këqyrjes nga ana e prokurorisë dhe ripohoj përpara opinionit publik atë që prokuroria pohoi gjatë caktimit të masave. Asnjë send i ndaluar nuk është gjetur në ambientet e brendshme të selisë së PD”.

Bardhi i ktheu përgjigje akuzave të Berishës se Basha rrethohet me fondamentalistë.

“Nuk ka asgjë serioze në atë akuzë. Është qesharake, është mashtrim si çdo gjë e thënë për fat të keq nga zoti Berisha gjatë këtyre ditëve”.

Sekretari i Përgjithshëm i PD u shpreh se policia ka reaguar me 40 minuta vonesë që nga njoftimi i parë në protestë./tvklan.al