Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi thotë se me kolegun e tij socialist Bledi Çuçi nuk ka arritur një marrëveshje për komisionet hetimore, por një dakordësi në parim një ditë më parë.

Duke folur për gazetarët pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Bardhi u shpreh se vijon ende diskutimi mes palëve politike për finalizimin e punës për komisionet hetimore parlamentare e për këtë arsye nuk ka një marrëveshje përfundimtare, por dakordësi në parim.

“Ne kemi rënë dakord në parim në Konferencën e Kryetarëve, është duke u punuar edhe në këto momente për të finalizuar këtë dakordësi. Ne i qëndrojmë dakordësisë në parim që kemi dhënë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve dhe jemi që ajo dakordësi në parim të përkthehet në vendimmarrje të Kuvendit të Shqipërisë. Jemi duke punuar për të treja çështjet që diskutuam dhe ramë dakord dje në parim. Grupi parlamentar i PD i qëndron dakordësisë në parim të shprehur edhe dje në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. E përsëris, jemi duke punuar”, theksoi Gazment Bardhi.

Opozita ka kërkuar ngritjen e komisioneve hetimore si një e drejtë e saj kushtetuese me qëllim që të heqë dorë nga kaosi në jetën parlamentare. Dje, Gazment Bardhi dhe Bledi Çuçi ranë dakord në parim për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare që kërkohen nga PD, atë për koncesionet në shëndetësi dhe ndërhyrjet në sistemin TIMS.

/tvklan.al