Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka paralajmëruar një tjetër aksion të SPAK ditët në vijim që do të godasë sipas tij lidhjet mes krimit dhe politikës.

Në fjalën e tij përpara mbledhjes së grupit parlamentar demokrat në selinë blu, Gazment Bardhi kërkoi nga SPAK që të përshpejtojë punën për të goditur krimin e organizuar si dhe për të nxjerrë para ligjit politikanët e lidhur me krimin.

Krahas hetimeve të kryera nga SPAK, të cilat janë në vazhdim dhe pritet që ditët në vijim të ketë akoma më shumë të dhëna sa i takon lidhjeve apo kontratës mes politikës dhe krimit, mediat ndërkombëtare përfshirë Rai3 kanë raportuar në mënyrë të përsëritur lidhjet e forta të Edi Ramës me grupet kriminale.

Nuk i ka thënë opozita Edi Ramës, dhe ju do të shikoni në ditët në vijim dhe unë gjej rastin të apeloj Prokurorinë e Posaçme të veprojë me shpejtësi në zbardhjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, nuk i ka thënë as opozita, as Rai3, as Bild Edi Ramës që të caktojë një të deleguar të posaçëm që ruan raportet mes tij dhe botës së errët të krimit të organizuar. Të dhënat janë atje, janë në Prokurori dhe unë pres, opozita pret që SPAK të përmbushë misionin e vetë për të goditur krimin e organizuar, por sigurisht për të mbajtur përgjegjës edhe ata politikanë që për llogari të pushtetit të tyre të vjedhur me forcën e errët të grupeve kriminale, dhunojnë prej 11 vitesh çdo proces zgjedhor në Shqipëri”, tha Gazment Bardhi.

/tvklan.al