Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi falënderoi qytetarët që morën pjesë në protestën e djeshme. Ai u ndal në disa çështje, që prej marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët, për të cilën shprehet kundër, e deri tek ngritja e një nënkomisioni nga ana e mazhorancës.


“Dua të falenderoj të gjithë qytetarët që iu bashkuan protestës madhështore të opozitës si një mesazh i qartë se qyettarët reagojnë ndaj keqqeverisjes. Uroj që ajo pjesëmarrje e transmetuar me aq qytetari të dëgjohet nga mazhoranca duke ndalur arrogancën, duke hequr dorë nga aktet shtypëse dhe duke reflektuar për punë në dobi të tyre. Së dyti dua të bëj një koment sa i takon vendimit të Gjykatës Kushtetuse për marrëveshjen Rama-Meloni të emigrantëve. Duke shprehur keqardhjen që GJK nuk u ngrit në lartësinë  e opinionit publik, dua ta konsideroj si akt tradhtie kombëtare. Mbushja e Shqipërisë me emigrantë duke rrezikuar sigurinë publike, dhe duke e futur në hartën e vendeve që cenojnë të drejtat kushtetuese, ishte një goditje në raport me respektin dhe garancinë që duhet të japë ky institucion.

Unë dënoj ndërhyrjen e kabinetit të kryeministrit në anëtarë të veçantë të gjykatës dhe shpreh keqardhjen për ata që janë betuar mbi Kushtetutë dhe më pas janë kthyer në shërbim të qeverisë. Së treti dua padyshim të rikonfirmoj vendimin e sotëm të grupit të PD për të vijuar aksionin tonë në Parlament derisa të përmbushen kërkesat tona legjitime, së pari për ngritjen e komisioneve për transparencë dhe së dyti për të çuar përpara reformën zgjedhore. Së fundmi dua të shpreh në emër të grupit shqetësimin për një tentativë të mazhorancës, për të ngritur një nënkomision të titulluar Nënkomisioni për Auditim Parlamentar që synon të marrë nën kontroll KLSH-në. Të heqë dorë nga kjo tentativë ndaj çdo institucioni të pavarur kushtetues, është e papreçedentë.”

I pyetur se a do e votojë nesër ligjin për Amnistinë Penale, Bardhi theksoi se për këtë akt nuk ka pasur procedurë transparente dhe një draft të përbashkët. Për pasojë, sipas tij aksioni i opozitës në Kuvend vijon…

“Cilën Amnisti?! Është kthyer në një akt terësisht jo transparent. Ku secili shton e heq sipas interesit të tij larg vëmendjes së publikut, jemi prej muajsh në një aksion brenda Kuvend dhe ky aksion do vijojë. Në parim, Amnistia është një akt i Kuvendit të Shqipërisë, do duhet të qëndrojë larg sherrnajave të politikës shqiptare, ka qenë gjithmonë akt konsensual, por s’ka pasur procedurë për të dalë me një draft të përbashkët dhe për të ofruar votimin. Në këtë temë dua të hedh poshtë me përbuzje edhe disa lajme të sponsorizuara nga PS, me prodhime emisionesh të rreme mbi premisa të rreme, sikur kolegë brenda PD kanë kërkuar shfuqizimin e nenit që lidhet me vendimet e GJKKO. Është propozim i Plarent Ndrecës, deputetit më të ri, i cili duhet të ishte vetë subjekt i GJKKO-së dhe SPAK. Nuk është votuar dje ligji në Komisionin e Ligjeve nga asnjë anëtar i PD-së”, u shpreh Bardhi./tvklan.al