Duke iu rikthyer akuzave të bëra ndaj Kryeministrit Rama në median Italiane Rai 3, Gazment Bardhi tha pas mbledhjes së grupit se opozita ka provuar me fakte lidhjet e kreut të qeverisë me krimin.
Teksa i bëri thirrje Kryetares së Kuvendit që të respektojë Kushtetutën dhe rregulloren e parlamentit për të pranuar kërkesën e demokratëve për mocion me debat, Bardhi ftoi qytetarët që t’i bashkohen protestës, e thirrur në të njëjtën ore me nisjen e seancës plenare.
“Apeloj çdo qytetar që të marrë pjesë nesër në protestën e orës 10:00 përpara sallës së seancave plenare duke shprehur vendosmërinë tonë që nuk pajtohemi kurrë që qeveria e një vend anëtar të NATO-s të miratojë ligje, të fuqizojë grupet më të rrezikshme kriminale në vend.”
Prerazi tha se opozita nuk do të marrë pjesë në dy komisionet që pritet të ngrihen në seancën plenare të së enjtes; ai për antikorrupsionin dhe dezinformimin.
“Nuk bëhemi pjesë e asnjë komisioni”.
Tv Klan