“Kryeministri kërkon pazar, sesioni i ri nis me mosbindje civile”

Deklaratat e bëra nga Edi Rama në Lezhë se mazhoranca nuk do të mbetet peng e opozitës për Reformën Zgjedhore për kryetarin e grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi janë tregues i mëndësisë së rrezikshme antidemokratike që kryeministri ka për të mbajtur pushtetin me çdo mjet.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai tha se Edi Rama nuk ka interes të bëjë asnjë reformë që i shërben qytetarëve shqiptarë dhe se me vetëditje po djeg Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Ndërsa në një intervistë për Televizionin Klan, Edi Ramës ia bëri të qartë se kartonin jeshil, demokratët e rreshtuar krah tij, do ta ngrejnë vetëm nëse ligjet i nënshtrohen proceseve transparente dhe kalojnë mbi bazën e dialogut e konsensusit me opozitën.

“Gjueti shtrigash e konsideron politikën dhe parlamentin si pazar, ku deputetët blihen e shiten dhe në një proces të tillë, opozita nuk përfshihet. Ndërsa në një proces që ka në themel transparencën dhe dialogun për çështje të interesit të qytetarëve jemi dhe do jemi gati dhe ky proces duhet të jetë transparent.”

Pushimet e gjata nuk e kanë ndryshuar qasjen mes palëve. Kaosi dhe tymueset do jenë kryefjalë e punimeve të kuvendit edhe me nisjen e sesionit të ri parlamentar, thotë Bardhi.

“S’ka ende reflektim, ky aksion do vijojë për të pamundësuar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.”

Përsa u përket zhvillimeve në kampin opozitar, Bardhi e sheh si një hap pozitiv draftin e partive të vogla për krijimin e një konfederate, por rezervat për Bashën vijojnë të mbeten të forta.

E sigurt është që sa kohë jemi në opozitë me Ramën dhe qëllimi i frontit është të përballemi me Ramën, të gjitha çështjet janë të zgjidhshme. Ajo do jetë tryezë e faktorëve opozitarë që bëjnë akte opozitarizmi. Nuk jam i sigurt që me veprat që ka kryer Basha mund të konsiderohet pjesë e opozitës.”

Nisma për krijimin e federatës së opozitës e propozuar nga partitë e vogla parashikon drejtimin nga një grup koordinator deputetësh, që pranohen nga të gjithë faktorët politikë.

Tv Klan