Bardhi: Reforma zgjedhore nuk është çështje e parlamentit

Bardhi: Reforma zgjedhore nuk është çështje e parlamentit

11:47 24/10/2019

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha këtë të enjte se reforma zgjedhore nuk është dhe nuk mund të jetë çështje e parlamentit, pasi sipas tij janë subjektet politike dhe jo parlamenti që merr pjesë në zgjedhje.

Reforma zgjedhore nuk është dhe nuk mund të jetë çështje e parlamentit të Shqipërisë. Reforma zgjedhore dhe çështjet që lidhen me të janë përcaktim i rregullave të lojës për partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje. Në zgjedhje nuk merr pjesë parlamenti i Shqipërisë, por partitë politike. Duhet të jenë partitë politike që me konsensus duhet të përcaktojnë rregullat e lojës për pjesëmarrjen e subjekteve zgjedhore në zgjedhje.

Bardhi tha se reforma zgjedhore, jo thjeshtë e miratuar në letër, por një reformë e vërtetë zgjedhore, është kusht për hapjen e negociatave.

Për këtë arsye ne kemi propozuar një mekanizëm për të bashkëpunuar me palën tjetër. Kur në fakt, duhej të ishte qeveria që do duhej t’i shtrinte dorën dhe të kërkonte bashkëpunimin e opozitës në plotësimin e këtij kushti. Bundestagu e ka bërë të qartë që nuk flet, apo nuk kërkon vetëm realizimin e reformës zgjedhore apo miratimit të ndryshimeve në kodin zgjedhor, por kërkon një reformë zgjedhore me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike. Ky është kushti që ka vënë Bundestagu, dhe Shqipëria do të duhet të përmbushë për të marrë datën e fillimit të bisedimeve për hapjen e negociatave.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, në prononcimin para gazetarëve para selisë blu, tha se opozita ka ngritur një tryezë pune me partitë aleate për të pasur gati kontributin e saj.

Sa kohë nuk ka një refuzim të arsyetuar të palës tjetër mbi propozimin tonë, tregon që nga pala tjetër ka mungesë vullneti për të bashkëpunuar me opozitën në realizimin e reformës zgjedhore. Detyra jonë është që të kemi gati kontributin e opozitës në këtë reformë. Detyra e palës tjetër është të mendojë për interesin e qytetarëve, të mendojë për hapjen e negociatave me BE, të tregojë përgjegjshmëri ndaj kushteve të vendosura nga partnerët ndërkombëtarë dhe të pranojë atë mekanizëm që ne kemi propozuar për të pasur një produkt të përbashkët. E kundërta do të ishte jo vetëm thellim i krizës, jo vetëm tregues i lartë papërgjegjshmërie, por edhe prova e fundit që tregon që Edi Rama nuk është i interesuar që Shqipëria të bëhet sa më parë pjesë e BE dhe se Edi Rama është pengesa e vetme për integrimin europian të Shqipërisë./tvklan.al




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi