
Bardhi sqaron dilemën: Kë zgjedh mes SHBA-së, Berishës dhe Ramës
“Nuk është roli i ambasadës që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri.” Kështu reagoi ditën e sotme ambasada e SHBA-së në Tiranë (Lexo më shumë) duke u distancuar nga debati i brendshëm se kush e kryeson grupin parlamentar dhe Partinë Demokratike.
Gazment Bardhi, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan deklaroi se e mbështet plotësisht këtë deklaratë dhe qëndrimin e ambasadës amerikane për individët e shpallur “non grata”.
Këtu theksoi se nuk është bashkuar me Sali Berishën, pavarësisht se brenda grupit të PD ka një unifikim. Bardhi nënvizoi se mes SHBA-së dhe Berishës zgjedh të jetë me SHBA-në. Ndërsa mes Edi Ramës dhe Sali Berishës zgjedh të jetë me këtë të fundit për sa kohë ka besimin e një pjese të opozitës.
“Unë nuk jam bashkuar (me Berishën). E mbështes 100% deklaratën e SHBA. Kam qenë në studio me ju ditën e parë kur është bërë takimi dhe të kam pohuar ekzaktësisht atë që thotë deklarata. Nuk ka asnjë ndryshim të SHBA sa i përket “non gratave” dhe kjo është një çështje që mua më ndan me zotin Berisha. Mes SHBA-së dhe zotit Berisha unë zgjedh SHBA. Mes zotit Berisha dhe Edi Ramës unë zgjedh Sali Berishën sa kohë është opozitar dhe ka besimin e një pjese të popullit opozitar”, tha Bardhi. /tvklan.al