Drejtuesi politik i PD-së për Elbasanin, Gazment Bardhi ka bërë thirrje që të nisë sa më parë procesi i numërimit në qarkun ku ai garon në zgjedhje. Ai i bëri apel, Partisë Socialiste që të caktojë numëruesit e saj dhe ky proces të jetë korrekt dhe i qetë.

“Unë sapo bëra thirrje për të nisur sa më parë procesin e numërimit, për të nisur sa më parë një proces model, korrekt dhe të qetë të numërimit. Ftoj PS-në të caktojë numëruesit dhe të ketë besim tek numëruesit e saj. Apeli im i vetëm është të nisim sa më parë procesin e numërimit, t’i ofrojmë Elbasanit një proces numërimi të qetë dhe korrekt. Edhe njëherë, kjo e sotmja është një fitore e madhe për Shqipërinë dhe Elbasanin. Ftoj që PS të caktojë numëruesit dhe të nisim sa më parë qetësisht dhe në mënyrën më korrekte të mundshme procesin e numërimit. Kjo është e vetmja festë që mund të bëjmë”, tha Bardhi.

Për sa i përket deklaratës së kundërshtarit të tij, Taulant Balla, se PS-ja ka rritur një fitore historike në këtë qark, Bardhi tha se nuk komenton deklaratat e humbësve.

“Unë nuk komentoj deklaratat e humbësve. Jam këtu për t’i dhënë një mesazh të qartë falenderimi për qytetarët e Elbasanit dhe bashkive brenda qarkut. Faleminderit që besuat në projektin tonë, faleminderit që u bëtë pjesë e ndryshimit për të cilën Shqipëria ka pasur nevojë, jo sot, por gjatë këtyre 8 viteve”, tha Bardhi.

Elbasani është një prej zonave të nxehta në këtë proces zgjedhor. Më 21 Prill, atje u shënua një incident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi për shkak të dyshimeve për shitblerje votash. Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur katër persona të tjerë, mes tyre edhe një efektive policie./tvklan.al