Kompetencën për zgjedhjet për kryetarin i ka Këshilli Kombëtar

7 anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike kanë thirrur pasditen e së enjtes këtë forum, me qëllim miratimin e rregullores së brendshme për zgjedhjen e kryetarit, si edhe plotësimin dhe emërimin e anëtarëve të Komisionit Zgjedhor. Por Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, në një shkresë drejtuar Kryesisë, i cilëson antistatutore aktet që pritet të ndërmarrin kolegët e tij pasi sqaron se nuk janë në kompetencën e tyre.

“Sipas pikës 1 dhe 6/a të nenit 4 dhe nenit 53 të Statutit, hapja e zgjedhjeve për Kryetar të Partisë, si një nga vendimet më të rëndësishme në një parti politike, përfshirë edhe miratimi i personave përgjegjës që administrojnë procesin (Komisioni Zgjedhor), është kompetence e Këshillit Kombëtar”.

Në kërkesën e tij, Bardhi argumenton se kryesia ka shkelur statutin me vendimin për t’u dhënë kryetarëve të degëve dhe grupit të punës të drejtën për evidentimin apo përditësimin e anëtarësisë.

“Sipas Statutit, autoritetet e vetme përgjegjëse për këtë janë Sekretari i Degës, Kryesia e Degës së Partisë dhe Sekretari i Përgjithshëm. Statuti nuk përcakton as Kryetarin e Degës dhe as grupin e punës të ngritur prej tij si autoritete statutore lidhur me evidentimin e anëtarësisë apo përditësimin e saj”.

Bardhi sqaron se heqja e të drejtës së votës, siç thuhet në vendimin e kryesisë, nuk është kompetencë e kryetarit të degës, grupit të punës apo Komisionit Zgjedhor, ndërsa evidenton se Komisioni Zgjedhor funksionon vetëm pas miratimit nga Këshilli Kombëtar dhe se pa u miratuar ky organ nga Këshilli nuk mund të ketë proces zgjedhor.

“Në të kundërt, mungesa e mbledhjes së Këshillit Kombëtar do të pamundësonte mbajtjen e zgjedhjeve në datën 29 Korrik 2023 dhe zbatimin e vendimit të datës 6 Qershor 2023 të Kryesisë së Partisë, për shkak të mungesës së miratimit të Komisionit Zgjedhor”.

Bardhi e informon kryesinë se Këshilli Kombëtar është funksional, i regjistruar dhe ka kuorumin e nevojshëm për t’u mbledhur dhe për të marrë vendime. Për të shkuar në zgjedhje siç parashikojnë rregullat statutore, Bardhi i kërkon kryesisë të mblidhet të mërkurën dhe të vendosë thirrjen e Këshillit, i cili ka kompetencë për hapjen e procesit lidhur me zgjedhjen e kryetarit dhe miratimit të Komisionit Zgjedhor.

Tv Klan