Bardhok Pllanaj, i shumëkërkuari i policisë, është arrestuar në Shkodër pas një hetimi të kryer prej disa muajsh. Gjykata e Shkodrës vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, që u ekzekutua sot nga policia me arrestimin e 44-vjeçarit. Bardhok Pllanaj akuzohet për pastrim parash, falsifikim të vulave, stampave ose formularëve dhe ndërtim pa leje.

Sipas Policisë së Shkodrës, Bardhok Pllanaj prej disa vitesh kishte filluar ndërtimin për qëllime përfitimi të një objekti 10-katësh pa u pajisur me lejet përkatëse të lëshuara nga organet kompetente.

Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se ky objekt është financuar nga të ardhura që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i 44-vjeçarit. Për këtë arsye është vendosur dhe masa e sigurimit pasuror me vendim gjykate “Sekuestro preventive” për objektin 10-katësh që ndodhet në qytetin e Shkodrës në pronësi të tij, objekt i cili kap vlerën 2 milionë Euro.

Në vitin 2014, Bardhok Pllanaj ishte një nga personat e kërkuar për operacionin anti-drogë të Luginës së Vilunit. Gjatë një operacioni për kapjen e tij, ai ishte fshehur në makinën e ish-deputetit Mark Frroku, duke i shpëtuar kështu arrestimit.

/tvklan.al