Në Britani të Madhe policia po përballet me një tjetër problem. Zyrtarë të Policisë së Manchesterit kanë thënë se baronët dhe tregtarët e drogës janë duke paguar DJ-të me qëllim që këta të fundit të organizojnë festa masive në vende të ndryshme të Britanisë.

Dhe sipas policisë, qëllimi është i qartë. Nëpër festa apo koncerte, pjesëmarrësit gjithmonë kërkojnë drogëra të llojeve të ndryshme. Kjo do t’ua lehtësonte punën trafikantëve duke ofruar për ta një treg të gatshëm.

“Daily Mail” raporton se bandat kriminale paguajnë për pajisjet muzikore, paguajnë DJ-të dhe gjithçka tjetër, duke kërkuar vetëm organizimin e koncerteve. Madje ata paguajnë që një koncert të performojnë deri në 7 DJ. Me pjesëmarrjen e qindra mijëra personave, tregtarët e drogës do të kenë mundësi të shesin pilula të ndryshme, ekstazi, kanabis, kokainë etj.

“Lokalet e natës në Manchester janë aktualisht të mbyllura për shkak të koronavirusit. Grupet kriminale janë duke u përshtatur dhe përdorin festat apo koncertet e ndryshme për të shpërndarë drogë”, tha një burim policor për “Sunday Times”.

Javët e fundit në Britani ka patur disa festa të organizuara në ambiente të hapura nga DJ-të, që kanë degjeneruar më pas në sherre mes pjesëmarrësve. Policia që po heton këto raste, dyshon se fansat mund të kenë qenë nën efektin e lëndëve narkotike.  /tvklan.al