“Brenda 90 ditëve të para qeverisëse, reformë e thellë fiskale”

Për të treguar se rimëkëmbjen e ekonomisë e ka qëllim madhor, zotimet e bëra prej muajsh Lulzim Basha i konkretizoi përmes një marrëveshjeje që nënshkroi me Shoqatën Kombëtare të Biznesit të Vogël dhe atij të Mesëm.

Uljen e menjëhershme të barrës fiskale e sheh si instrumentin thelbësor për të rindezur motorin ekonomik të vendit. Brenda 90 ditëve të para të qeverisë paralajmëroi një reformë të thellë fiskale, përfshi edhe një moratorium për gjobat. Efekt tek biznesi i vogël tha se do të kenë edhe dy masa shtesë.

Në Paskuqan, fushatës së Bashës iu bashkuan edhe disa socialistë, njëri prej të cilëve në mënyrë demonstrative  grisi teserën e PS-së.

Banorët e Paskuqanit, i ftoi të votojnë për ndryshimin, duke i garantuar se qeveria e tij do të hapë vende pune përmes rimëkëmbjes së ekonomisë.

“Ndryshim do të thotë zgjidhje. Zgjidhjet fillojnë me ekonominë, me punësimin, me arsimin e fëmijëve tanë që ti mundësojnë një punë me pagë dinjitoze këtu për të ndalur plagën e emigracionit. Ndryshim do të thotë integrim, hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”.

Votën për numrin 9 ia kërkoi edhe banorëve të Kamzës, përpara të cilëve përsëriti angazhimin për hapjen e rrugës europiane të Shqipërisë.

“Dhe këtë mund ta bëjmë vetëm ne, vetëm Partia Demokratike, Aleanca për Ndryshim”.

Familjeve të dëmtuara nga tërmeti në Paskuqan e Bathore iu zotua për përshpëjtim të procesit të rindërtimit.

Ndërsa në Shkozet të Durrësit, Basha u zotua se do t’i japë zgjidhje përfundimisht çështjes së legalizmeve si dhe atë të pronave të fermerëve.

Tv Klan