“Hajdutëria dhe babëzia e tij kriminale, varfërim për shqiptarët”

Kreu i opozitës Lulzim Basha deklaroi në Patos se 1/3 e socialistëve refuzuan më 30 Qershor qeverisjen hajdute dhe kriminale të Edi Ramës. Basha iu referua shembullit të Bashkisë së Patosit, ku sipas tij pjesëmarrja në votime ishte e ulët. “Sa i përket pjesëmarrjes reale, përfshirë ata që janë detyruar me forcë, në bashkinë e Patosit, refuzimi masiv ka arritur një tjetër rekord me 13 përqind. Kjo do të thotë se në Patos vetëm një në tre socialistë ka shkuar të votojë në procesin farsë të 30 Qershorit, ndërsa dy në tre kanë vendosur ta bojkotojnë këtë farsë dhe të rreshtohen në krahun krahun e vëllezërve dhe motrave të tyre demokratë, kundër juntës kriminale, kundër hajdutërisë, barbarisë dhe grabitjes së Edi Ramës.”- tha zoti Basha.

Kryetari i PD vuri në dukje se ky nuk është rezultat i arritur brenda një jave, por i protestave dhe i qëndrimeve politike të PD dhe opozitës, siç ishte djegia e mandateve parlamentare. “Janë pikërisht protestat popullore, është qëndresa juaj, kurajo juaj, vendosmëria juaj që ka zgjuar kurajon dhe ka vetëdijësuar gjithë shqiptarët përfshirë zgjedhësit e ndershëm socialistë, se 30 qershori nuk bëhej për ta, por për një klikë hajdutësh, që ka thyer çdo rekord babëzie dhe hajdutërie në Shqipëri dhe në Ballkan“, tha Basha, i cili u kujtoi qytetarëve të Patosit disa nga mashtrimet dhe vendimet e qeverisë së Ramës për vjedhjen e tyre.

Lideri i opozitës tha se në vend të qeverisjes, Edi Rama ka ndërtuar një sistem banditesk grabitjeje. “Çdo vendim, çdo akt qeverie, çdo ligj parlamenti, çdo rregullore, çdo gjë është për të vjedhur dhe për të grabitur. Jo vetëm me vjedhjen e buxhetit, vjedhjen në dogana, që ka kapur nivele të padëgjuara që në ditët më të zeza të qeverisjes së Fatos Nanos, vjedhjen me tatimet, vjedhjen me tenderat. Tani po vjedhin me koncensionet dhe PPP-të. Ka shkuar çmimi për kilometër rruge në Shqipëri 5 herë më i lartë se sa në Japoninë e tërmeteve, 10 herë më i lartë se sa çmimi mesatar europian, siç është vjedhja në rrugën Milot-Balldren, siç është vjedhja në rrugën Vlorë-Orikum,”– u shpreh lideri i opozitës në takimin me strukturat e PD në Patos. /tvklan.al