Shkak qeverisja e keqe

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet se këtë vit në Shqipëri kanë humbur vendin e punës të paktën 100 mijë shqiptarë, për shkak të mbylljes së 32 mijë bizneseve.

Në një postim në Facebook, Basha citon një studim të Bankës Botërore dhe shprehet se “6 në 10 biznese të regjistruara në Shqipëri nuk kanë realizuar asnjë fitim pas heqjes së masave bllokuese, çka paralajmëron të tjera falimentime dhe mbyllje vendesh pune”.

Sipas kreut të opozitës, kriza e thellë është rezultat i qeverisjes 7-vjeçare nga Edi Rama, me premtime të pambajtura, dështime dhe keqqeverisje.

“7 vite me radhë Edi Rama ka rritur taksat dhe çmimet, ndërsa paratë e shqiptarëve i ka vjedhur e shpërdoruar me një grusht oligarkësh, përmes PPP-ve, koncesioneve dhe tenderave korruptivë”, shton kreu i PD.

Basha më tej shkruan se Rama të njëjtën demagogji po përdor dhe për rindërtimin, “ndërkohë familjet e dëmtuara po bëhet gati një vit që jetojnë në çadra, kontenierë apo shtëpi të rrënuara”.

Në fund numri një i PD shprehet se vendi ka nevojë për ndryshim, për frymëmarrje dhe për një model të ri ekonomik që mund të sigurojë një qeverisje ndryshe.

“Me planin tonë ekonomik ne do të ulim taksat. Taksa e sheshtë 9%, mbështetja për biznesin e vogël, moratoriumi për inspektoriatet dhe taksidarët dhe masa të tjera, do të çlirojnë biznesin nga ankthi dhe do të krijojnë mundësi për çdo shqiptar të punojë e jetojë me dinjitet në vendin e tij”, përfundon Basha./tvklan.al