BASHA2

Korrupsioni dhe kontrabanda e mbështetur nga qeveria, janë arsyet që kreu i Partisë Demokratike gjen për mosrealizimin e të ardhurave të buxhetit të shtetit, që nisur nga shifrat e publikuara nga Ministria e Financave edhe për muajin Korrik flitet për një defiçit prej 25 milionë dollarësh të shkaktuar nga organet tatimore dhe doganore.

Në një deklaratë për shtyp Lulzim Basha shkruan se paratë që duhet të shkonin për rritje pensionesh dhe rrogash, asistencë familjeve në nevojë, shkolla, kopshte, çerdhe, ujësjellës apo kompensim për pronarët dhe të përndjekurit nuk arritën kurrë në arkën e publikut sepse përfunduan njësoj si 150 milionë dollarë të tjerë, në xhepat e kontrabandistëve dhe qeveritarëve të korruptuar. Korrupsion, kontrabandë, hajdutëri me çizme. Ky është zamku që mban bashkë dyshen Rama-Meta”, thotë Basha.

E lidhur me këtë deklaratë si dhe qëndrimet e njëpasnjëshme të mbajtura nga opozita lidhur me mosrealizimin e planit të të ardhurave doganore dhe tatimore, në këtë pjesë të parë të vitit, ka reaguar Partia Socialiste.

Deputeti Ervin Bushati i përgjigjet akuzave me të njëjtën monedhë. Sipas tij, Basha përpara se të ngrejë gishtin e akuzës ndaj qeverisë, duhet të japë përgjigje për gropën e borxhit prej 30 milionë dollarësh që i la Bashkisë së Tiranës.

Tv Klan