Kreu i PD-së: Nuk e kam tradhtuar besimin e demokrateve, objektivi i PD-së është rrëzimi i qeverisë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përsëritur qëndrimin e tij për mos njohjen e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare. Në një takim e me qytetarët në Fier, Basha akuzoi Partinë Socialiste për shit-blerje masive të votave si dhe për shkelje të Kodit zgjedhor.

“Me shkelje flagrante dhe kriminale të kodit zgjedhor, të vetë atij kodi që miratuan në mënyrë të njëanshme në 5 Tetor, vullneti i qytetarëve më 25 Prill u tjetërsua, ishte ditë e një masakre elektorale të nisur muaj më parë. Nuk do të njihet rezultati i tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve, nuk do të pranohet”, u shpreh Basha.

Kreu demokrat përjashtoi mundësinë për bashkëpunim me PS duke thënë se objektivi I PD është rrëzimi I qeverisë . Po ashtu, kreu I demokratëve hodhi akuza ndaj ministrave të kabinetit “Rama”.

“Objektivi ynë politik është rrëzimi i një ore më parë i regjimit Rama-Doshi me të cilin nuk do të ketë asnjë bashkëpunim por vetëm betëjë, orë të tëra përgjimesh të ministrave të Ramës duke shkelur ligjin që do mjaftonin për t’ju vënë prangat dhe për t’i çuar si të pandehur para drejtësisë”, shprehet ai.

Kryedemokrati iu përgjigj dhe kritikëve të cilët e akuzojnë atë se tradhtoi besimin e demokratëve.

“Për t’i dhënë shqiptarëve mundësinë e rrëzimit të regjimit në mënyrë të parakohshme, ne dorëzuam edhe atë pushtet që kishim duke djegur mandatet, jo për të tradhtuar besimin e atyre që kishin votuar demokratët, por për t’u përballur siç u përballëm dhëmbë për dhëmbë”, ka treguar Basha.

Sipas Bashës beteja për ndryshim nuk ka përfunduar dhe se ajo do të vijojë në të gjitha mënyrat derinë largimin e socialistëve.

Klan News