Banditët grabitën në sy të një ambasadoreje një të ri shkodran

Teksa pritet zyrtarizimi i kandidaturave për kreun e ri të Partisë Demokratike, Lulzim Basha u tha Shkodranëve nga ku vijoi turin e falenderimeve se nuk ndodhej në qytetin verior për të marrë duartrokitjet e tyre.

“Nuk jam këtu as për të kërkuar simpatinë dhe as duartrokitjet tuaja, sepse në fakt duartrokitjet janë për ju dhe për mijëra demokratë të Shkodrës që qëndruan në këtë betejë në mënyrën më të fuqishme, në rrethanat më të pamendueshme”.

Kryedemokrati e cilësoi 25 Prillin një masakër elektorale, që sipas tij, prodhoi një parlament të mbushur me përfaqësues nga bota e krimit.

“A ka Shqipëria një parlament pa krim pas 25 prillit? Përgjigja është jo. 25 prilli i thelloi plagët e vjetra të vjedhjes së zgjedhjeve e të aleancës së pushtetit me krimin të korrupsionit dhe të varfërimit të qytetarëve si pasojë e tyre”.

Basha bëri një akuzë të fortë kur tha se një i ri shkodran që denoncoi blerjen e votave, u rrëmbye në sy të një ambasadoreje.

“Dhe në fakt e pamendueshmja ndodhi këtu në Shkodër, ku për herë të parë në 30 vite Tom Doshi dhe banditët e tij detyruan të largohet dhe të mbyll mbledhjen një ambasadore perëndimore, pasi grabitën në sy të saj një të ri shkodran i cili pati guximin të ngrihej në këmbë dhe të thoshte: këtu po blen vota Tom Doshi.”

Shkodra për Lulzim Bashën është një nga skenat e krimit të këtyre zgjedhjeve, ku sipas tij ka një ndërmarrje të përbashkët Rama-Doshi.

Tv Klan