“Do kufizoj në dy mandate postin e Kryeministrit”

3 dekada pas Lëvizjes Studentore, lideri i demokratëve, Lulzim Basha, është i bindur se erën e ndryshimit, sikundër në Dhjetor të 1990, sërish do ta sjellë rinia.

“Rinia do marrë në dorë fatet e vendit dhe do rikthejë shpresën. Ndryshimi do të mbajë përsëri firmën dhe vulën e rinisë shqiptare.”

Në 30 vjetorin e Lëvizjes Studentore, Basha foli me shqetësim për situatën që po kalon vendi dhe largimin e të rinjve, duke bërë përgjegjëse qeverinë për hapat pas, që sipas tij, ka bërë Shqipëria në përmbushjen e aspiratës europiane.

“Shqipëria si gjithë Europa, një projekt i papërfunduar, një punë e lënë në mes që mbetet për tu kryer. Prej 8 vitesh Shqipëria ka dalë nga drejtimi i duhur, ka bërë hapa pas. Dikujt i leverdis që të mbjellë ndjenjat e dorëzimit, pesimizmit dhe braktisjes të vendit”.

Një zotim ka për të rinjtë, që i sheh si e ardhmja e vendit, e me të cilët premton gjëra të mëdha në politikë bërje.

“Zotohem se si kryeministër do të kufizoj në vetëm dy mandate postin e kryeministrit. Në parlament apo me referendum unë do të bëj realitet kufizimin e mandatit të kryeministrit. Kur nuk mban asnjë premtim për 8 vjet çfarë mund të japë më shumë një njeri pas 8 vjetësh në pushtet, duhet qarkullim elitash.”

Më herët, Basha i shoqëruar nga lideri historik i demokratëve Sali Berisha dhe drejtues të Partisë Demokratike vendosën kurora me lule në memorialin e dëshmorit të demokracisë Azem Hajdari.

Tv Klan