Gati të mbledh Kuvendin për demokratët, jo për Berishën

Edhe Lulzim Basha e cilësoi blof procedurën e ndjekur nga ish-Kryeministri Berisha për dorëzimin e 4 200 firmave të delegatëve të Kuvendit Kombëtar në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar Edi Paloka. Basha  akuzoi Berishën se ka shkelur statutin e partisë për hallet e tij personale.

“Zoti Berisha ka qenë për një kohë shumë të gjatë kryetar i Partisë Demokratike, e di shumë mirë statutin, rregullat e partisë. Jam thellësisht i zhgënjyer nga tallja që ka bërë me demokratët dje duke fshehur blofin e tij dhe  mungesën e firmave për ¼ e anëtarëve të Kuvendit që do të vinin në lëvizje mekanizmin për thirrjen e Kuvendit. Nëse do t’i kishte mbledhur do kishte dorëzuar sipas statutit që të nisnin procedurën statutore që ai e njeh shumë mirë. atë që e nisi si betejë gjoja për demokratizimin e Partisë Demokratike përfundoi si betejë për hallet e tij personale dhe për pushtetin e tij personal”.

E teksa ish-Kryeministri Berisha ka paralajmëruar mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm Kombëtar në 11 dhjetor, Lulzim Basha la të kuptohet se edhe ai mund ta thërrasë mbledhjen e këtij forumi.

“Dua ta hedh poshtë gënjeshtrën se PD dhe kryetari i saj nuk duan Kuvend. Jo.sa herë të jetë i nevojshëm jam i gatshëm të thërras Kuvend për demokratët dhe Kuvend të demokratëve”.

Sali Berishës, të cilit më herët i ka kujtuar se koha e tij ka mbaruar i adresoi edhe një mesazh të drejtpërdrejtë.

“Kam vetëm një thirrje dhe një ftesë Sali Berishës. Nuk i kishe firmat dhe nuk i dorëzove te organet statutore ashtu siç i di fare mirë rregullat e kësaj partie se ke qenë kryetar i kësaj partie. Boll harxhove kohën dhe energjitë e demokratëve, boll ndihmove Edi Ramën!”

Mbrëmjen e së mërkurës deputetët mbështetës të liderit historik të demokratëve dorëzuan 4200 formularët me firmat e delegatëve të kuvendit në zyrën e Edi Palokës, por ky vendim i tyre u cilësua nga numri dy në selinë blu si mbyllje ne kasafortë e demokratëve.

Tv Klan