Lulzim Basha ka deklaruar pas dëshmisë që dha në prokurori se ka kërkuar hetimin e plotë dhe të gjithanshëm si dhe inkurajoi organet e drejtësisë që të bëjnë një hetim të plotë të ngjarjes. Ai u shpreh se 8 Janari ishte organizim i planifikuar i një tentative vrasjeje mes demokratëve dhe autor për këtë është një grup i strukturuar kriminal.

“Kam kërkuar hetimin e plotë dhe të gjithanshëm dhe inkurajoj organet e drejtësisë të bëjnë hetimin e plotë të kësaj ngjarje sepse për fat të keq nuk ishte asgjë më pak se një organizim i vetëdijshëm , i planifikuar i një tentative vrasjeje mes demokratëve për interesa personale me autor një grup të strukturuar kriminal ku nuk janë demokratët, por interesat e një personi dhe mercenarëve dhe të një grushti personash me rekorde kriminale që të gjithë e pamë.

Kam kërkuar hetimin e gjithsecilit nga i pari tek i fundit dhe kam kërkuar që drejtësia të zbardhë dhe vërë para drejtësisë të gjithë, nga i pari tek i fundit, nga Sali Berisha tek i fundit, por duke bërë një dallim të qartë dhe diferencim mes organizatorëve, orkestruesve dhe urdhëruesve të dhunës që e gjithë bota i pa për fat të keq i pa gjithë bota jo vetëm Shqipëria”, tha Basha.

8 Janari, Basha përfundon dëshminë në Prokurori: Dhuna u urdhërua nga Berisha

Lulzim Basha dëshmoi në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me protestën e 8 Janarit. Kreu i PD tha se dhuna u orkestrua dhe organizua nga Berisha. Ai shtoi se demokratët u thirrën për t’u përdorur si fasadë më 8 Janar.

“Theksoj dhe njëherë kërkesën që ia kam drejtuar organeve ligjzbatuese që të zbardhin menjëherë përgjegjësit dhe t’i venë para përgjegjësisë ligjore. Dhuna u orkestrua, u organizua dhe u urdhërua nga Sali Berisha dhe një grup mercenarësh dhe kriminelësh që përbëjnë një organizatë kriminale. Demokratët u thirrën për t’u përdorur fasadë më 8 Janar. Një pjesë e vogël iu përgjigj thirrjes. I drejtohem demokratëve dhe u them se kjo është një ditë në të cilën nuk do të kishim ardhur kurrë për interesat e askujt dhe kjo është një nga dëmet e mëdha që po i shkaktohet PD për shkak egoizmit të pa kufij të Sali Berishës dhe mbivendosjes së tij mbi interesat e demokratëve dhe shqiptarëve. Ndonëse ne ishim subjekt i një sulmi barbar dhe të dhunshëm, nga njëra anë kërkoj vendosjen para përgjegjësisë, të autorëve, organizatorëve, frymëzuesve të dhunës, dhe ju them demokratëve që nuk do humbasim asnjë sekondë në këtë kurth ku na dëshiron kundërshtari ynë, por duhet të jemi në krye të betejës për ta çliruar Shqipërinë nga ky makth që është produkt i aleancës së keqqeverisjes dhe i aleatëve të keqqverisjes ku tashmë edhe Sali Berisha me aktet e 8 Janarit është dëshmuar si aleat i çmuar”.

Basha tha se Berisha nuk ia doli që t’i imponohet PD-së me aktet e dhunës./tvklan.al