Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha të premten se kryetari i shkarkuar i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku është fytyra e Edi Ramës.

  “Agim Kajmaku është fytyra e Edi Ramës. Është një poshtërim për PS në radhë të parë, nga e cila nuk nxjerr dot kandidatë të padënuar, të painkriminuar, të pazhytur dhe të pakorruptuar, por nxjerr llumin e llumit. Por është një poshtërim edhe për qytetarët shqiptarë, që shkëlqejnë kudo në botë, por në vendin e tyre qeverisen nga kriminelë e trafikantë që e kanë vendin në burg”, tha Basha në një prononcim për mediat pasi KQZ vendosi me votë unanime shkarkimin e Kajmakut me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilës kryebashkiaku i zgjedhur në 30 Qershor është subjekt i ligjit të dekriminalizmit pasi në formularin e vetëdeklarimit nuk ka përmendur ndalimin në Greqi në vitin 2003 me para të falsifikuara. 

Basha tha se për këdo që ka pasur dyshime se 2013, 2015, 2017 apo 2019 janë rastësi, “tani ka të gjitha provat se kjo ka qenë një skemë e mirëmenduar e Edi Ramës për t’i dorëzuar pushtetin krimit, prandaj qeveris me krimin dhe e mban pushtetin me krimin.

Kryedemokrati tha se e vetmja zgjidhje është t’i kthehet pushteti popullit dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me një qeveri kujdestare që të garantojë votën./tvklan.al