Për tu siguruar se dëshmia e gazetarit Jetmir Olldashi do të merrte vëmendjen e duhur mediatike dhe publike, kryetari i PD Lulzim Basha doli personalisht dhe e prezantuar transmetimin e konferencës së tij për shtyp.

Për kryetarin e selisë blu kjo dëshmi fakton se vëllai i ministrit të Brendshëm është kreu i trafikut të drogës në Vlorë.

Basha i akuzon ministrin Xhafaj dhe kryeministrin Rama se janë kujdesur të fshijnë çdo provë që implikon Agron Xhafajn dhe të ndërtojnë një skenar kriminal për ta mbrojtur atë dhe rrjedhimisht qeverinë e tyre të kriminalizuar.

Për këto arsye Basha kërkon pjesëmarrjen në protestën e 26 Majit.

Arsyeja pse kryedemokrati nuk e artikulon vendndodhjen e protestës është pikërisht sepse në selinë blu po shqyrtohen dy skenarë që janë diskutuar dhe me krerët e degëve të kësaj partie.

Nëse gjatë këtyre ditëve ministri Xhafaj do të vendosë të dorëhiqet protesta do të zhvillohet përpara kryeministrisë, në të kundërt në 26 Maj protestuesit do të thirren të mblidhen përpara Ministrisë së Brendshme ku do të kërkojnë largimin e kreut të saj.

Tv Klan