Kreu i opozitës vijon turin e dëgjesave me të rinjtë

Pas Elbasanit, kreu i opozitës e vijoi “Rrugëtimin për Shqipërinë” me të rinjtë në qytetin e Korçës. Ekonomia ishte kryefjalë e takimit të Bashës, ku akuzoi qeverinë se në buxhetin e vitit 2020 ka planifikuar 120 milionë euro për koncesionet.

“Do të mjaftonin 70 milionë euro për të bërë një revolucion total me të gjithë universitetet dhe arsimin e lartë në Shqipëri. Dhe ky është plani ynë”, tha Basha.

I pyetur për banderolën e vendosur në hyrje të qytetit që i referohej lajmit se Basha po jeton në një shtëpi luksoze ai dha këtë përgjigje.

“Nuk ka asnjë gënjeshtër që mund të më heqë nga detyra ime. Gënjeshtra kundër meje dhe familjes time janë përpjekje cinike të Edi Ramës për të hequr vëmendjen nga dështimet dhe skandalet e tij. Prandaj nuk bëhem pjesë e lojës së tij”, tha Basha.

Kreu i opozitës premtoi se Partia Demokratike ka një program për ekonominë, ku krahas përmirësimit të klimës së biznesit dhe uljes së taksave synon edhe vendosjen e pagës minimale 300 euro në vitin e parë të qeverisjes.

Tv Klan