“PS është peng e bandave që qeverisin me Kryeministrin”

25 Prillin Lulzim Basha e sheh si fundin e Kryeministrit Rama, të cilin e akuzoi nga Fieri se të dielën do të largohet së bashku me kriminelët me të cilët ai tha se po blen votat e shqiptarëve.

“Në vend që të ndalë shitblerjen e votës fajëson këdo po s‘ka për t’ia dalë se në 25 Prill është i humbur se në 25 Prill shqiptaret janë të bashkuar rreth të vetmes mundësi”.

Në shënjestër të akuzave e vuri edhe nga Vlora ku vijoi fushatën elektorale.

“E ka kthyer Vlorën në resortin e pushimeve të tij, vjen me premtime të pambajtura duke e konsideruar Vlorën pronën e tij. Historia tregon se Vlora e vlonjatët i takojnë vetes e kombit dhe e kane treguar në momente më kritike se për atdhe e liri s’ka force që i ndal”.

Sipas Bashës, Kryeministri Rama po përdor gjithçka për të ndalur ndryshimin.

“Rama i është kthyer marifeteve të vjetra me shpresën së do ndalë ndryshimin. 110 mijë shtëpi po bëhet gati t’i shkatërrojë pas zgjedhjeve kërkon votën për t’i legalizuar por ka ndërmend t’i prishe siç prishi shtëpitë e Astirit, ky është Rama i vërtetë”.

Vlonjatët i ftoi për pjesëmarrje paqësore në votimet e së dielës, fitorja e së cilës tha se do i takojë edhe socialistëve të ndershëm të këtij qyteti.

“Fitore do i takojë edhe socialistëve të ndershëm nga banda që e ka marrë peng partinë e tyre”.

Ndërsa më herët, Basha nënshkroi një marrëveshje me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar ku u zotua që të rimëkëmbë këtë sektor, duke garantuar 100 milionë Euro subvencione për fermerët.

Tv Klan