Kreu i demokratëve: Rama ka monopolizuar ekonominë, largoi investimet e huaja

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zotohet se do të rrisë pagat për arsimtarët si dhe do të anulojë ligjin për arsimin e lartë për të garantuar autonomi për universitetet.

Në një takim me të rinjtë në Vaun e Dejës, Basha tha se me PD në qeveri do të ofrohen kurse falas për mësimin e 5 gjuhëve të huaja, trajnime për 20 profesione dhe tekste shkollore falas.

“Në fushën e arsimit do të sjellim në rradhë të parë rritjen e pagave për pedagogët, mësuesit dhe për arsimtarët, përfshirë edhe pedagogët e universiteteve. Ligji jo vetëm që do të anulohet, por ne do të kemi një ligj bashkëkohor, që do të garantojë autonominë e univeristeteve. Në do të garantojmë së pari 5 gjuhë të huaja online, pa pagesë. Me aleancën europiane të universiteteve 20 profesione dhe qëllimi është që brenda 4-vjeçarit të kemi një kampus të kombinuar të këtyre universiteteve. Fëmijët shqiptarë do të kenë tekste shkollore të paguara nga shteti sepse prindërit e tyre paguajnë taksat”, tha Basha.

Kreu i demokratëve shenjestroi kryemnistrin Edi Rama, për të cilin tha se në 8 vite e ka përqendruar ekonominë e shqiptarëve në duart e një grupi njerëzish dhe se ka larguar investimet e huaja nga vendi.

“Paratë e taksave të shqiptarëve, në vend që t’i çonte për fëmijët, jua ka dhënë një grushti oligarkësh, që do ishin mjaftueshëm para për të dixhitalizuar tre herë sistemin arsimor në Shqipëri. I ka mbetur ora tek Enver Hoxha. Akuzoi BE-në se po përzihen në punët e brendshme të Shqipërisë. Pse? Se faji që kemi mbetur në vend nuk është i Europës, nuk është i opozitës, nuk është i qytetarëve por është i atij”, u shpreh Basha.

Basha tha se qytetarët duhet të votojnë PD në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, pasi sipas tij, është e vetmja forcë politike që garanton hapjen e mijëra vendeve të reja pune.

Klan News