“Do të ulim emigrimin dhe papunësinë”

Lulzim Basha prezantoi këtë të premte programin e Partisë Demokratike për rininë në zgjedhjet e 25 Prillit. Kryedemokrati u shpreh se interesi i selisë blu është që të zhvillohet Shqipëria. Në këtë mënyrë ai u angazhua për mundësi të reja për brezat e rinj.

“As edhe një ndryshim nuk bëhet pa menduar për fëmijët dhe rininë”, tha Basha.

Sipas Bashës, plani i demokratëve është i sigurtë dhe konkret. Ai u shpreh se si kryeministër do të zgjidhë çështjen e papunësisë, uljen e emigrimit, rritjen e cilësisë së arsimit dhe inoviacionin, një pikë që sipas Bashës do të jetë në krye të përparësive.

“Ne do të zgjidhim çështjen e papunësisë: nuk mund të lejojmë që rinia jonë të rrijë në shtëpi, pa as edhe një shpresë për punësim. Kjo nis që me shkollat, ku ata do marrin më shumë mundësi arsimimi dhe mbaron me krijimin e më shumë vendeve të punës në ekonomi për ta. Do të ulim emigrimin e rinisë. E thashë edhe më parë, do ta them përsëri: po humbim një brez të tërë. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes këtë. Do të rrisim cilësinë e arsimit: në planin e arsimit që prezantuam fola për rëndësinë që ka arsimi. Ky është thelbi. Pasi t’u kemi dhënë më shumë mundësi të rinjve përmes sistemit arsimor, ata do të kenë më shumë besim dhe mundësi për të ardhmen e tyre këtu. Inovacioni – nxitja e Inovacionit. Ne do ta vendosim INOVACIOININ në krye të listës së përparësive. Ne duhet t’u japim të rinjve të gjitha mundësitë që meritojnë për t’ia dalë në jetë”.

Basha u angazhua se 9 në 10 prej studentëve shqiptarë që vijnë nga familje nën 64 mijë lekë në muaj do të përfitojnë mbështetje të plotë përmes financimit 100% të tarifave për Bachelor dhe Master.

Pjesa tjetër do të përfitojë përgjysmim të tarifave. Sipas tij do të jepen 5000 bursa të plota për ata që kanë vështirësi ekonomike. Studentët do të kenë praktika të paguara për 10 mijë prej tyre. Në programin e PD-së, thuhet se qeveria e dalë nga zgjedhjet do të krijojë 4 inkubatorë biznesi për të zhvilluar ide inovatore dhe për të promovuar sipërmarrësit.

Basha tha se asetet që do të sekuestrohen nga Ligji Anti-Mafia do të përdoren për të rinjtë që të ngrenë biznese.

“Angazhohem që asestet e sekuestruara në bazë të Ligjit Anti-Mafia do të kalojnë në duart e të rinjve që ngrenë biznese me benefite sociale për shoqërinë. Angazhohem që ta bëj brezin e ri përparësi të qeverisjes sonë, punë, arsim, mundësi, profesion. Rinia do të jetë e para”, tha Basha.

Sipas kryedemokratit zgjedhjet e 25 Prillit janë jetike.  “Ose do ta ndryshojmë Shqipërinë ose nuk do të kemi të ardhme”, tha ai./tvklan.al