Kryetari në detyrë i PD-së, Lulzim Basha, ka qenë në Lushnje këtë të martë ku ka vijuar takimet me strukturat vendore për zgjedhjet për kryetar. Basha është shprehur se nuk do të bashkëpunojë me Ramën pasi ka vjedhur zgjedhjet.

“Kjo ishte arsyeja  që shpresa u ndez dhe me bashkim duke refuzuar qoftë mendjelehtësinë e atyre që për interesa të çastit apo mllefe të çastit e konsiderojnë 25 prillin fitore të Edi Ramës dhe jo një masakër zgjedhore duke i shërbyer kështu mendjelehtësi projektit të Edi Ramës për të na përçarë sërish qoftë duke bërë të mundur përmes bashkimit tonë sot dhe akoma më shumë me 13 qershor që të vazhdojmë deri në fund betejën e nisur që mund të ketë një dhe vetëm një përfundim: jo bashkëpunimin me atë që vodhi shpresën e shqiptarëve, por rrëzimin një orë e më parë të atij që vodhi vullnetin e shqiptarëve. Dora e shtrirë për bashkëpunim pasi ke vjedhur zgjedhjet, do të thotë të bëhesh ortak në vjedhje. Pretendimet për reformë zgjedhore pasi ke vjedhur zgjedhjet, tregojnë jo thjesht tmerr dhe ankth, po dhe analfabetizmin politik të atyre që i kemi përballë”, tha Basha.

Sipas Bashës, 25 prilli nuk zgjidhi asgjë për shqiptarët”.

“Do përdorim çdo instrument për të kthyer demokracinë dhe zgjedhjet e ndershme”, u shpreh ai.

Basha shtoi se ka dalë në fushatë me program dhe vizion ndërsa kundërshtari përdori gjithçka të paligjshme për të penguar ndryshimin./tvklan.al