Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nëpërmjet një publikimi në rrjetin social Facebook, shkruan se rritja e taksave në Shqipëri po rrënon ekonominë, duke iu referuar vlerësimit të Bankës Botërore. Basha thotë se qeveria po zvarrit rimbursimin e TVSH-së. 

Statusi i plotë:

Shqipëria humbet 7 vende në vlerësimin e Raportit te Bankës Botërore “Doing Business 2018”.

Faktori kryesor i këtij përkeqësimi është rritja e taksave dhe detyrimeve, duke humbur plot 28 vende për këtë arsye. Raporti shprehet se 37.3% e fitimit shkon për taksa dhe kontribute, ndërkohë që qeveria zvarrit pafundësisht rimbursimin e TVSH-se.

Fqinjët tanë vazhdojnë të kenë një renditje më të mirë sesa Shqipëria, e cila renditet në vendin e 65. Maqedonia renditet në vendin e 11, Kosova në vendin e 40, Mali i Zi në vendin e 42, duke treguar përparësi krahasuar me Shqipërinë.

Edhe këtë vit, ashtu si vitin e kaluar, mesazhi është shumë i qartë:

Investitorët e huaj që duan të investojnë në Ballkan, e shohin Shqipërinë si zgjedhjen e fundit. Janë vendet fqinje (Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi) të cilat do të jenë më të afta për të thithur investitorët e huaj./tvklan.al