Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka deklaruar këtë të shtunë se sa të jetë ai kryetar i partisë nuk ka për t’u mbledhur asnjë Kuvend Kombëtar, që sipas tij merr në shqyrtim vendime të qeverisë amerikane.

Basha tha se Berisha nuk ka asnjë mbifuqi që ia jep statuti i partisë për të thirrur institucionet e partisë. “Sali Berisha mund të thërrasë institucione paralele në përpjekjen e tij për ta bërë partinë bunker për hallet e tij personale”, tha ndër të tjera Basha.

“Unë kam thënë që detyra e Kryetarit është zbatimi i statutit. Neni 3 është i qartë sa i takon orientimit euroatlantik të partisë. Kuvend Kombëtar që të marrë shqyrtim vendime të qeverisë amerikane nuk ka për të pasur sa të jem unë kryetar i partisë dhe qëllimi të paktën për momentin është të përfundoj mandatin që ma dhanë nga shumica dërrmuese e demokratëve duke çuar këtë parti drejt objektivave të saj. Këtë kam thënë dhe i qëndroj 100%. Ajo që duhet t’ju habisë ju, është që njeriu që bërtet statuti, statuti, statuti shpall dhe i jep vetes kompetenca që nuk i ka dhe nuk mund t’i ketë me statut. Sali Berisha nuk ka ndonjë mbifuqi nga statuti i partisë për të njoftuar apo thirrur asnjë institucion të partisë. Partia ka institucionet e saj dhe statut. Sali Berisha mund të thërrasë institucione paralele në përpjekjen e tij për ta bërë partinë bunker për hallet e tij personale, por demokratët kanë halle të tjera dhe prioritetet të tjera. Kuvend Kombëtar kam thirrur dhe do të thërras pa asnjë shqetësim sa herë të ketë çështje statutore për të vendosur. Por institucione paralele dhe bunker nuk thërras dot”, tha Basha.

Basha i bëri komentet pas deklaratës së Berishës të premten ku para demokratëve në Berat tha se javën e ardhshme do të vendoset data për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Basha: Zotit mund t’i kem hyrë në hak, por Sali Berishës jo

Basha shtoi ndër të tjera se “Zotit mund t’i kem hyrë në hak, por Sali Berishës jo”. Ai u shpreh se është përpjekur të gjejë një zgjidhje për situatën e Berishës. Basha tha ndër të tjera se vendimit për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i qëndron 100%

“Së pari pjesa e dytë e pyetjes hedh poshtë çdo alibi shpifje, trillim të kundërshtarit tim politik që tani e dëgjoj nga goja e Sali Berishës, apo disa pseudombështetës së tij që kanë në qëllim nxjerrjen e inateve të tyre, rrezik edhe këto zgjedhje nuk kanë votuar ose kanë votuar kundër PD. Kur bëhet fjalë për interesin e shqiptarëve unë jam peng vetëm i Perëndisë, vetëm i Zotit. Dhe me thënë të drejtën, Zotit mund t’i kem hyrë në hak, por Sali Berishës jo. Për 3 muaj kam bërë çmos me përpjekjen time për ta zgjidhur këtë çështje. Jam ulur shumë herë me Berishën për të gjetur një zgjidhje që ndihmonte atë dhe nuk dëmtonte PD. Kam pritur, që siç kishte deklaruar vetë, këtë betejë ta bënte në mënyrë personale pa përshirë PD dhe as grupin parlamentar. Kur këtë vendim nuk e konkretizoi, me hapin që do ta bënte ndryshimin mes fjalës dhe veprës, atëherë kam marrë të njëjtin vendim që ishte në favor të PD dhe demokratëve dhe mbi të gjitha në interes të shqiptarëve. Një person përpiqet të bëjë gjithçka që të marrë një parti peng vetëm për interesat e tij personale. Deri para dy muajsh nuk kishte asnjë problem me mua, tani jam unë armiku. 3 apo 4 muaj më parë kishim zgjedhjet për kryetarin e PD dhe çdokush mund të kandidonte, çdo kush mund të mbështeste një kandidat. Rezultati dihet dhe mbështetja që kam marrë nga shumica e demokratëve. Çfarë ka ndryshuar që atëherë përveç interesit personal të një individi që përpiqet të tërheqë një parti të tërë në greminë. Unë nuk jam përgjigjur, dhe nuk do i përgjigjem gënjeshtrave flagrante kundër meje dhe pastaj amplifikohen nga një makineri e tërë që është vënë në lëvizje për këtë punë, ku aksioner i fshehtë është edhe Edi Rama, edhe dikush tjetër se ia bëjnë “mu”. Nuk është stili im në radhë të parë, nuk është rruga ime. Vendimi im ka qenë një vendim i lidershipit të përgjegjshëm ndaj demokratëve, vendim që nuk mund të shmangej, vendim që duhej ta merrja dhe jo të hiqesha mënjanë dhe të shihja PD të zhytej në humnerë. Ky vendim është i marrë jo për mua, për demokratët dhe është vendim të cilit i qëndroj 100%”, tha Basha.

Basha: Rama po pengon Komisionin Hetimor për Becchetti-n. Vendimi është në internet, jo konfidencial siç pretendon ai

Lulzim Basha ka zhvilluar një konferencë për mediat ku u ndal tek kërkesa e opozitës për të ngritur 3 komisione hetimore. E teksa deri më tani është ngritur vetëm ai për zgjedhjet, Basha thotë se edhe komisionet hetimore për inceneratorët dhe për çështjen Becchetti nuk do të pengohen.

“Edhe në këtë rast dua të jem fare i qartë siç po përpiqen të sabotojnë Komisionin për masakrën zgjedhore dhe nuk kanë për t’ia dalë. Nuk kanë për t’’a dal edhe në daljen e përpjekjes tonë dy komisionet e tjera hetimore. Në rastin e mafies inceneratorëve po kërkojnë riformulim të kërkesës tonë edhe riformulimi nuk është në mirëbesim por është një përpjekje për të kthyer hetimin ndaj mafias se inceneratorëve të plehrave, në një pseudogrup pune për mjedisin, kur të gjithë e dimë se mjedisin e ndosin siç bënë gjatë verës, që çojnë paratë tek inceneratorët. Afro 800 mln euro ishte shifra e cituar dje e shpenzuar për këtë qëllim. Pra me të njëjtën lehtësi kriminale që i vunë flakën plehrave në Lushnje, në Fier, në Vlorë e kudo tjetër që pastaj të justifikonin firmat ë Durrës. Që pastaj të justifikonin firmat e kryebashkiakëve, që pastaj lekët tuaja, lekët e shqiptarëve, tua jepnin mafies së inceneratorëve, me të cilët pastaj i ndajnë. Me të njejtën lehtësi tani mendojnë se do të ndalin apo ndryshojnë natën e këtij Komisioni Hetimor me një grup pune për ambientin. Dje halli i tyre përsa i përket Komisionit Hetimor u shpalos më atë telenovelën e shëmtuar që patë të Edi Ramës me uzurptorët e krerëve të bashkive që kishte një dhe vetëm një qëllim, që t’i çojmë mbetjet te inceneratorët. E gjitha ajo batërtisje që iu bë atyre ka vetëm një qëllim, që mbetjet të shkojnë tek inceneratorët me pronarë offshore dhe paratë e qytetarëve ti furnizojnë llogaritë e tyre bankare sekrete në parajsat fiskale, siç ka filluar edhe të shpaloset edhe përmes letrave të Pandorës. E do të vazhdojë të shpaloset edhe në mekanizma të tjerë sepse është një e vërtetë që nuk mund të fshihet dot, tepër e madhe. Është një minar që s’ka thes ta fsheh”, tha Basha.

Kreu i demokratëve u ndal tek deklaratat e Ramës dhe tha se është gënjeshtër fakti që kryeministri ka mohuar vendimin për Becchetti-n. Sipas Bashës, vendimi është publik dhe jo konfidencial siç ka pretenduar Rama, ndërsa shtoi para gazetarëve se kryeministri ka përdorur shtetin në një luftë personale që do t’u kushtojë shqiptarëve 120 milionë Euro.

“E nëse për mafien e inceneratorëve po kërkojnë riformulim të kërkesës tonë, në përpjekje për ta kthyer atë që duhet të jetë një Komision Hetimor, në një pseudogrup pune për mjedisin, ndërkohë Rama shantazhoi jo më larg se dje krerët e bashkive për t’i çuar mbetjet te inceneratorët me pronarë offshore, për të furnizuar me paratë e qytetarëve llogaritë bankare në parajsat fiskale. Për komisionin Becchetti, Edi Rama u tregua i prerë, duke na thënë se duhet ta harrojmë ngritjen e tij, sepse sipas Edi Ramës vendimi është i “mbuluar nga konfidencialiteti” dhe publikimi i tij dëmton interesat e Shqipërisë. Pra me fjalë të tjera po thotë afera e Becchetit nuk hetohet dot sepse është konfidenciale dhe ngaqë është konfidenciale nuk mund ta hetoni, sepse po ta hetoni do dal i, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi. Thjesht dhe shkurt për çdo shqiptar, Komisioni Hetimor nuk është diçcka për të cilën opozita ka nevojë për dakordësinë e qeverisë, Kushtetuta e Shqipërisë thotë kur 28 deputetë kërkojnë Komision Hetimor, ai miratohet pikë. Ky thotë nuk do ta hetoni ju këtë sepse është konfidenciale dhe dëmton interesat e shqiptarëve. Që Edi Rama gënjen nuk përbën lajm, s’ka besoj njeri në botë që se ka kuptuar, në Shqipëri jo e jo, por duke qënë se bëhet fjalë për një dëm prej 120 mln eurosh apo më shumë. Fshehja e tij pas sekretit apo konfidencialitetit siç e quan është qesharake, sepse vendimi është fshehur në hapsirën më sekrete të botës që quhet internet. Ja ku është vendimi. Klikohet linku edhe një 6-vjeçar mund ta shohë që vendimi i sekret i Ramës është në internet. Në çdo rast ne linkun do e publikojmë si për mediat edhe për qytetarët, për të gjithë qytetarët. Sepse paratë me të cilat do të paguajë këto 120mln euro do dali nga xhepat e të gjithë shqiptarëve. Ky është vendimi që thotë Edi Rama është sekret.

Kaq sekret është saqë me një smartphone, me një wi-fi kudo ku të jeni në këtë moment, klikoni linkun dhe ju del vendimi që përcakton qartë se për shkak të luftës personale të Ramës me Becchetti-n ne shqiptarët, ju do duhet t’i paguajmë 120 milionë Euro”, tha Basha./tvklan.al