Po shfryn mllefin, është simbol i korrupsionit

Turin e takimeve të Sali Berishës, Lulzim Basha e sheh si një virozë që  do të bëjë ciklin e vet. Nga takimi që zhvilloi me demokratët e degës 8 në kryeqytet, Basha sërish e  akuzoi se po shërben si tub oksigjeni për Kryeministrin Rama.

“Lëre të shfryjë. E di që është plot me mllef, me zemërim, me gënjeshtra, por e keqja do ta bëjë ciklin e vet si çdo virozë, do të ketë edhe koston e vet si çdo virozë. Por, nuk luftohet duke i vënë demokratët përballë njëri-tjetrit dhe kjo është arsyeja besoj e kuptoni shumë mirë. 8 janari ua ka hapur sytë të gjithëve se pse kam marrë atë vendim dhe pse ai ishte vendim i drejtë.”

Foli sërish për hije të së shkuarës komuniste dhe simbole të korrupsionit kur iu referuar Sali Berishës dhe zyrtarëve të PD-së në qeverisje, duke thënë se për karrigen e tyre ishin gati t’i vinin flakën demokrateve në 8 Janar.

“Jo sot, edhe dje, edhe para 5 vjetësh, edhe para 10-vjetësh, edhe kur kemi qenë në pushtet ishin gati t’i nxirrnin sytë çdo demokrati të ndershëm për karriget e tyre, për pushtetin e tyre personal të cilin gjithmonë e ka ndërtuar mbi sakrificën e demokratëve të ndershëm duke marrë e duke menduar çfarë të marrin kur çdo demokrat i ndershëm mendon çfarë të japi për këtë vend.”

Nga dega 8 ku u takua me strukturat drejtuese të Partisë demokratike, Lulzim Basha tha se demokratët  që e mbështesin atë kanë vendosur t’i japin fund tranzicionit politik në vend duke zgjedhur të ardhmen.

Tv Klan