Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar nga Korça se me ardhjen e tij në pushtet si kryeministër, do të heqë taksën mbi naftën dhe do të ulë çmimet.

Ndër të tjera Basha tha se pasditen e kësaj të mërkure do të zhvillojë një tjetër bisedë me një kompani europiane, për t’i shpjeguar se si Shqipëria do të bëhet edhe më tërheqëse se Serbia, apo Maqedonia e Veriut për investimet.

Më tej kryedemokrati theksoi se investitorët e huaj e dinë mirë sa punëtorë e të talentuar janë të rinjtë shqiptar.

“Klima e biznesit që ne do të sjellim me taksën e sheshtë, heqjen e taksës ‘Rama’ mbi naftën, uljen e çmimeve të çmendura që nuk krahasohem me asnjë vend tjetër të rajonit, ta kuptojnë që të gjithë këtë Ballkan ku kanë hedhur sytë për të investuar, ka një vend që është më i miri, më i bekuari, më i gatshmi, kjo është Shqipëria jonë e dashur.

Këto nuk janë premtime, këto nuk janë dëshira. Këto janë plane dhe sot pasdite unë do të zhvilloj një tjetër bisedë me një tjetër kompani ndër më të mëdhatë në Europë, për t’u shpjeguar se si Shqipëria do të bëhet edhe më tërheqëse se Serbia, apo Maqedonia e Veriut për investimet, sepse ata janë të etur të investojnë në një vend si ky, me potenciale si ky, e mbi të gjitha me njerëz si ky. I njohin shqiptarët në vendet ku kanë emigruar, e dinë sa punëtorë janë, sa të talentuar janë të rinjtë shqiptarë. Se si shkëlqejnë me talentin e tyre kudo nëpër botë. Pse jo në vendin e tyre, pse jo në Korçën tuaj? Pse jo në Shqipërinë tonë? Ky pra do të jetë objektivi, synimi dhe zotimi im ndaj jush. Një plan i plotë dhe jo premtime në ajër”, u shpreh Basha nga Korça./tvklan.al