Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka qenë në Njësinë nr. 3 në Tiranë këtë të mërkurë ku është takuar me biznese dhe qytetarë të ndryshëm. Basha u premtoi njerëzve ndryshim dhe u bëri thirrje që të kujdesen për veten deri më 25 Prill.

“Kujdesuni për veten deri më 25 prill. Pas 25 prillit, edhe qeveria do të kujdeset për qytetarët”, tha Basha.

Sipas kryedemokratit, qeveria ka hequr dorë nga përgjegjësitë. Ai shtoi se shqiptarët bëhen bashkë kur ka kriza të mëdha, prandaj i bëri thirrje qytetarëve që të largojnë qeverinë aktuale më 25 Prill.

“Qeveria ka hequr dorë nga çdo përgjegjësi, kështu që ju në 25 Prill të heqim këtë qeveri. Ne kemi një gjë si shqiptarë; kur përballemi me krizat të mëdha, bëhemi të gjithë bashkë”, tha Basha.

Kreu i opozitës deklaroi se biznesi i vogël do të jetë në qendër të vëmendjes.

“Biznesi i vogël do jetë në qendër të vëmendjes, e para punës se jeni shtylla kurrizore e ekonomisë e dyta sepse jeni punëdhënës, të vetëpunësuar”, u shpreh Basha.

Kryetari i PD-së premtoi financim të tarifave për 90% të studentëve, ndërsa ripërsëriti edhe njëherë angazhimet e tij për uljen e çmimit të naftës dhe çmimit të energjisë./tvklan.al