BASHAKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dënoi sulmin kriminal ndaj Kryetarit të Komunës Qendër në Vlorë, Fredo Berberi. Duke i uruar shërim të shpejtë, z.Basha e siguron z.Berberi dhe familjen e tij, se Partia Demokratike u gjendet pranë në këtë ditë të vështirë. Basha kërkoi zbardhjen e ngjarjes dhe nxjerrjen e autorëve para ligjit. Sipas Bashës ky akt i shëmtuar është një shprehje e  pasigurisë publike në vend, e revanshit të krimit dhe për fat të keq, në këtë klimë frike, më të rrezikuarit janë zyrtarët dhe të zgjedhurit e Partisë Demokratike.

Edhe në një reagim zyrtar të Partisë Demokratike thuhet se, vetëm gjatë kohës së shkurtër që Ministri i Brendshëm po monologonte për arritjet e tij në krye të rendit, në Vlorë krimi sulmoi me tritol Kryetarin e Komunës Qendër dhe në Tiranë një aksident në rrugën e Elbasanit mori jetën e një kalimtari. Sipas demokratëve, ky është bilanci i vërtetë i rendit dhe sigurisë si rezultat i zhbërjes së policisë së shtetit nga Rama e Tahiri.

Ndërsa ish-kryeministri Berisha u shpreh qëndrimi i Edi Ramës ndaj opozitës është terror, tritol, bomba, burgje, bastisje. Në një status në Facebook Berisha kujton se në një hark kohor 3 javor, drejtues dhe eksponentë të Partisë Demokratike kanë qene subjekt i granatave tek dera e shtëpisë, arrestimeve politike dhe terrorit mbi familjet e tyre, deri në ngjarjen e sotme të vënies së tritolit, për të ekzekutuar kryetarin e komunës, në bulevardin kryesor të qytetit. Dhe sipas Ramës ky është vetëm fillimi, -shkruan Berisha në Facebook.