Basha: Deri në anëtarësim në BE, zgjedhjet në Shqipëri të organizohen nga qeveri tranzitore

Basha: Deri në anëtarësim në BE, zgjedhjet në Shqipëri të organizohen nga qeveri tranzitore

09:48 31/10/2019

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se zgjidhja e krizës politike kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Gjatë një takimi me Robert Benjamin, Drejtorin për Europën Qendrore dhe Lindore të institutit demokratik amerikan NDI, kryedemokrati theksoi se Shqipëria duhet të ketë një qeveri tranzitore sa herë organizohen zgjedhje.

Sipas tij, kjo metodë duhet të vihet në zbatim deri sa vendi ynë të jetë anëtar i Bashkimit Europian.

“Derisa të jetë anëtare e Bashkimit Europian, para zgjedhjeve Shqipëria duhet të ketë një qeveri tranzitore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë mënyrë do t’i pritet rruga presionit ndaj votuesve dhe ndaj administratës, keqpërdorimit të fondeve publike dhe aseteve shtetërore dhe rolit të personave me rekorde kriminale dhe grupeve kriminale. Ndarja e politikës nga krimi është jetike për votën e lirë”, ka deklaruar Lulzim Basha.

Në takimin me Benjamin, kryetari i Partisë Demokratike diskutoi edhe për vonesat në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, SPAK e BKH.

“Ndava shqetësimin e opozitës për vonesat në ngritjen dhe funksionimin e SPAK dhe BKH që do të hetojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta dhe vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar që pasuritë që ka vendi dhe potencialin e jashtëzakonshëm njerëzor t’i vëmë në të mirë të qytetarëve dhe jo në funksion të një grushti pushtetarësh të korruptuar dhe oligarkësh”.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e shtypit e PD, përfaqësuesit e Institutit Demokrat ndanë shqetësimin me të cilin po ndiqet në SHBA kriza politike në vend. /tvklan.al




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi