“Bashkë me miqtë ndërkombëtarë do i kalojmë pengesat”

Kreu i opozitës Lulzim Basha është optimist se gjatë qeverisjes së nesërme të Partisë Demokratik, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do bëhet një realitet. Nëpërmjet një videomesazhi në rrjetet sociale, teksa i vlerëson si të frytshme të dyja vizitat që zhvilloi në Slloveni dhe Kroaci, Basha thekson se ndihet i inkurajuar për të kaluar të gjitha pengesat dhe për të korrigjuar ato që ai i konsideron si dështimet e Ramës dhe për të sjellë progres në rrugën e integrimit europian.

“Ashtu si ia dolëm që me vendosmëri dhe besimin e partnerëve europian dhe amerikan ta fusim Shqipërinë në NATO, ashtu siç hoqëm vizat, me të njëjtin vullnet dhe punë të pandalshme bashkë me ju dhe me ndihmën e miqve tanë do ta fusim Shqipërinë në Bashkimin Europian”.

Gjithashtu Basha bën të ditur se të dy kryeministrat, ai i Sllovenisë Janez Janša dhe ai i Kroacisë, Andrej Plenković mirëpritën planin ekonomik të PD-së me anë të të cilit synohet të thithen sa më shumë investime të huaja.

“Më shprehën dëshirën e tyre për të forcuar lidhjet mes vendeve tona në të gjitha fushat: në turizëm, në tregti, në diplomaci, në biznes, në investime. Diskutuam mënyrat se si mund të arrihen këto, menjëherë pasi të zgjidhem Kryeministër”.

Kryedemokrati u kërkoi shqiptarëve të mos dorëzohen para vështirësive dhe problemeve të sotme,  pasi ditë më të mira do të vijnë me PD-në në qeverisje.

Tv Klan