Paralajmërimin se nuk do të ndalet nga beteja e nisur me qytetarët për votën e lirë, Lulzim Basha e dha edhe gjatë ceremonisë përkujtimore të 2 Prillit. Futja në zgjedhje pa opozitën sipas tij është një përpjekje e Ramës për të likujduar opozitën.

“Në delir nga aleanca e politikës me krimin, e krimit politik që vijon të përgjakë Shkodrën dhe të gjithë Shqipërinë, shëmbëlltyra e këtij regjimi mendon se mund ta likujdojë opozitën, se mund të bëjë edhe pa të, edhe se mund ta marrë Shkodrën edhe pa zgjedhje e mund ta mbajë Shqipërinë pa zgjedhje e nën zgjedhë, për sa kohë t’i nevojitet, mundësisht përjetësisht. Kjo nuk ka për të ndodhur. Nuk ka vegla të verbra, as gaz lotsjellës, as afije, as aparat shtypës, që mund të rikthejë qetësinë e kufomës politike të “Rilindjes”, trashëgimtares së denjë të krimit të 2 Prillit të vitit 1991. Protesta madhështore e shkodranëve dhe e gjithë shqiptarëve ka vetëm një përfundim, të njëjtin përfundim që pati protesta e 2 Prillit dhe sakrifica e 4 bijëve më të mirë shkodranë, rrëzimin e diktaturës, triumfin e lirisë, triumfin e demokracisë”.

Sipas kryedemokratit, 28 vite pas demonstratës antikomuniste ku mbeten të vrarë katër dëshmorët e demokracisë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, Shqipëria e 2019 është e ngjashme me të diktakurës.

“Sot Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë ia merr ajrin një shartesë, një mostër sa politike aq dhe kriminale e cila është rritur nga mungesa e vëmendjes, nga pandëshkueshmëria, nga indiferenca dhe tolerimi. Kjo mostër është qeverisja me krimin që mbijeton edhe për shkak se nuk i nxorrëm siç duhet përgjegjësitë e 2 Prillit 1991. 2 prilli si bashkëjetesë e krimit me qeverinë ka sot fytyrën e krerëve të qeverisë dhe të parlamentit”.

Basha tha se Shkodra e ka shkishëruar shitblerjen e votës, ndaj i ftoi shqiptarët të bashkohen në këtë shembull në betejën për demokraci, zgjedhje të lira e të ndershme dhe shtet ligjor.

Tv Klan